Fillon konferenca ‘Shqipja standarde sot’, mbi 40 studiues të ftuar|Video
Foto: RTKlive
Kulturë

Fillon konferenca ‘Shqipja standarde sot’, mbi 40 studiues të ftuar|Video

K.Kasumi/ RTKlive

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, sot me fillim nga ora 9.00, kanë nisur konferencën shkencore “Shqipja standarde sot”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së është paraqitur akademik Rexhep Ismaili, nga Këshilli Organizativ i kësaj konference nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, i cili ka folur për këtë konferencë.

“Sivjet mbushen 50 vjet nga një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e kulturës dhe e standardizimit të gjuhës shqipe. Është 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili është mbajtur në muajin nëntor, 20-25 nëntor 1972, në Tiranë, me iniciativën e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me pjesëmarrje nga Republika e Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga arbëreshët. Kongresi ka zgjatur pesë ditë dhe në fund ka pasur një rezolutë, e cila shpallte përfundimisht se populli shqiptar ka një gjuhë të veten letrare të njësuar, thoshim atëherë”, tha ai.

Në shenjë nderimi të atij kongresi, dy akademitë, e Kosovës dhe e Shqipërisë, sot po organizojnë konferencën “Shqipja standarde sot”.

“Konferenca e sotme është konferencë që mbahet me rastin e këtij jubileu, të Kongresit të Drejtshkrimit. Është konferencë pune. Janë ftuar studiues të vijnë të thonë mendimet e tyre. Nuk është konferencë që merr vendime. Nuk është mbi bazë delegimi por, thjesht, një konferencë e hapur ku mund të diskutohet dhe natyrisht që diskutimet pastaj do të merren parasysh edhe nga diskutuesit e, më vonë, nga ata që do të merren me këto punë”, deklaroi Ismaili.

Ai tregoi se mbi 40 pjesëmarrës po marrin pjesë në konferencën shkencore “Shqipja standarde sot”.

“Janë paraqitur mbi 40 pjesëmarrës dhe ka larmi tematike. Diskutojnë studiuesit e ndryshëm për çështje të veçanta të gjuhës standarde, për çështje të kulturës së gjuhës, për çështje më të rëndësishme të begatimit të orientimeve të ndryshme”, shtoi ai.

Konferenca mbahet në Sallën e Akademisë në objektin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë dhe është njëditore.


MË SHUME NGA Kulturë