Gutierrez: Demonizimi i gazetarëve nga disa politikanë, mbetet shqetësim
Pajtim Çuni/Radio Kosova
Një delegacion fakt-mbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve qëndroi për dy ditë në Kosovë. Sipas tyre, përkundër progresit për sa i përket lirisë së shprehjes dhe medieve, është shqetësuese mungesa e transparencës nga institucionet shtetërore dhe paqëndrueshmëria financiare e transmetuesit publik.
Një delegacion i Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve, për dy ditë qëndroi në Prishtinë. Ndonëse u vlerësua niveli i lirisë së shprehjes dhe pluralizmit medial në Kosovë, Rikardo Gutierrez, nga Federata Evropiane e Gazetarëve, tha se është shqetësuese mungesa e transparencës nga institucionet publike dhe qasja jo e mirë ndaj gazetarëve.
“Unë jam i shokuar nga mënyra se si disa politikanë dhe disa zyrtarë publikë shpërndajnë narrativë armiqësorë ndaj gazetarëve duke i demonizuar. Kjo retorikë ka për qëllim ta diskreditojë gazetarinë. Ky është ai thelbi i misionit tonë që po sfidohet”, deklaroi Gutierrez.
Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, tha se shqetësim tjetër për misionin është edhe financimi i paqëndrueshëm i transmetuesit publik.
“Këtë vit buxheti i RTK-së është shkurtuar dhe është ndër më të ulëtit në dekadën e fundit. Kjo e bënë të pamundur mundësinë e transmetuesit publik që të ofrojë programe, që të zbatojë programin e vet”, tha Kusari.
Sipas delegacionit, zhvillim pozitiv në Transmetuesin Publik është përzgjedhja e mirë dhe transparente e anëtarëve të Bordit të RTK-së.























