Reagon Lista Serbe, rikthimin në Kuvend e quan “vendim strategjik”
M.Shefkiu/RTKlive
Pa kaluar dy javë nga dita kur dhjetë deputetët e Listës Serbe dhanë dorëheqje të parevokueshme nga Kuvendi i Kosovës, sot nëntë prej tyre janë zëvendësuar. Deputetët e rinj dhanë betimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, derisa Lista Serbe këtë e konsideron si fitore "për t`i mbajtur ato (mandatet) në duar të sigurta".
"Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës", thuhet reagimin e Listës Serbe.
Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe, si dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit.
Pas dhënies së betimit nga deputetët e rinj, ka reaguar politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, e cila këtë “reagim strategjik” të Listës Serbie e konsideron si “përpjekje për t’i penguar përfaqësuesit e vërtetë serbë për të hyrë në Kuvend”.
“Sapo më njoftuan se Lista Serbe ka marrë 9 mandate të reja në Kuvendin e Kosovës për të penguar hyrjen time në të dhe për të mos lejuar që komuniteti serb në Kosovë të marrë përfundimisht përfaqësues të vërtetë politikë”, ka shkruar Trajkoviq në Twitter.
Ndërsa Lista Serbe në reagim thotë se me emërimin e deputetëve të rinj, është për ta ndaluara edhe qëllimin e Trajkoviqit, që të votojë ndryshe.
Ndryshe, me 7 nëntor deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Deçiq dhe Dragana Antonijeviq, dhanë dorëheqje të parevokueshme nga Ligjvënësi i Kosovës. Vendim i tyre erdhi pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Ky plan po jetësohet, e nga 21 nëntori, masa përshkallëzuese nga qortimi do të kalojë në shqiptimin e gjobave për të gjithë qytetarët që përdorin akoma makinat me targa të vjetra PR, KM, GL, DJ, etj.























