Sonte hapet ekspozita ‘Më lër brenda, më lër jashtë’|Video
Foto: RTK
Në Fokus

Sonte hapet ekspozita ‘Më lër brenda, më lër jashtë’|Video

K.Kasumi/ RTKlive

Sonte në orën 19:00 në “Grand Hotel” hapet ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë”, me thirrjen “Le t’i mbajmë afër nesh, le t’i nxjerrim në botë”. Kjo ekspozitë i kushtohet një kategorie mjaft të veçantë të shoqërisë sonë, personave me nevoja të veçanta.

Në emisionin “Aktual” në RTK për këtë ekspozitë ka folur Arbër Selmani, kurator.

“Kjo ekspozitë u kushtohet personave me aftësi të kufizuara. Është një ekspozitë me tetë pjesëmarrës, shtatë prej tyre janë individë dhe është Shoqata e Autizmit në kryeqytet. Secili prej këtyre pjesëmarrësve i kanë ofruar gjësendet e tyre personale për me qenë pjesë e kësaj ekspozite”, tha ai.

Sipas tij, qëllimi është që këta njerëz të dalin në pah.

“Kjo është një ekspozitë që tregon që këta njerëz bëjnë diçka në jetë. Këta njerëz janë sikur krejt ne, zgjohen në mëngjese, nisin ditën me krejt problemet dhe vështirësitë që i kanë e që janë më të shumta se tonat. Këta njerëz ecin përpara. Ekspozita është fuqizuese, është emocionale, por s’duhet t’i shohim me atë ndjenjën e gjynahit këta njerëz”, shtoi ai.

'Më lër brenda, më lër jashtë’ është një britmë e fuqishme, shpesh e ngjyrosur me një pëlhurë të empatisë, të personave me nevoja të veçanta të cilët i mungojnë diskursit publik në Kosovë.  Ekspozita sjell në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Ekspozita tregon imazhe të forta për një realitet goditës: dikush që noton, një tjetër që punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.


MË SHUME NGA Në Fokus