Qeveria e Kosovës premton riintegrim të të miturve në shoqëri |Video
BKT
Lajme

Qeveria e Kosovës premton riintegrim të të miturve në shoqëri |Video

Qendresa Duraku/RTK

Riintegrimi i të miturve që ishin në konflikt me ligjin do të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Kështu premtoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila bashkë me shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë morën pjesë në shfaqjen e filmit të shkurtër “Ndryshimi”, i cili e përshkruan rrugëtimin e një të mituri i cili bie pre e një mashtruesi dhe përballjen me sfida të mëdha dhe ligjin.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se të rinjtë shpesh janë viktima të pasojave që u janë shkaktuar më herët.

"Edukimi i mirëfilltë që nga mosha e hershme, aktivitetet kulturore, integrimi dhe socializimi me të tjerët sikurse mirëqenia ekonomike dhe barazia me të tjerët, janë kushtet e domosdoshme për çdo njeri më mënyrë që fëmijët të kenë rritje dhe zhvillim të mirëfilltë në çdo drejtim në çdo drejtim", u shpreh Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se shpeshherë të miturit që dëshirojnë të rintegrohen në shoqëri kanë vështirësi të punësohen e të arsimohen.

“Të gjithë fëmijët që kryejnë vepra penale, sjelljet e tyre janë pasojë e vështirësive që kalojnë. Të miturit kanë nevojë për vëmendje dhe shërbime cilësore. Konventa e OKB-së e pranon nevojën për sistem të veçantë, ata nuk mund të trajtohen si të tjerët. Burgjet nuk janë vende ku mund të mbahen të miturit”, ka thënë Lars- Gunnar Wigemark, shef i EULEX-it.

Zyrtarja e Shërbimit Korrektues, Magbule Rexhepi, tha se ideja për film ka lindur për shkak të vetëdijesimit të të rinjve mbi pasojat që shkaktojnë përdorimi i narkotikëve dhe përballja me ligjin dhe se burgu nuk është vendi ideal për t'i ndryshuar njerëzit.


MË SHUME NGA Lajme