Hoti e Murati, debat në distancë për terminalet dhe çerdhet
B. Halimi / RTKlive
Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Financave, Hekuran Hoti e kanë zhvilluar një debat në distancë sa i përket kthimit të terminaleve doganore në pronësi të shtetit dhe ndërtimit të çerdheve për fëmijë.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar partinë në pushtet për ‘shtetëzimin e terminaleve’, pasi sipas tij shpenzimet e tyre do të shkojnë në kurriz të qytetarëve.
“Këta majtistë që po qeverisin i shtetëzuan terminalet doganore. Por tani shpenzimet e terminaleve doganore nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave. Shihni buxhetin e Doganës së Kosovës për 2023 dhe dy vitet në vijim: 9.1 mil euro do të shpenzohen për renovim të terminaleve doganore. Këto janë taksa të qytetarëve. Me një vlerësim prej 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje, kjo shumë do të mund të shkonte në ndërtimin e 20 çerdheve për fëmijë”, ka shkruar Hoti.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Murati, i cili ka shkruar se sa çerdhe i kanë ndërtuar me paratë që kanë kursyer nga privatizimi terminaleve Hoti dhe partia e tij gjatë kohës sa kanë qenë në qeverisje.
“Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet! Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe. Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf. U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, ka shkruar Murati në “Facebook”.























