Kurti: Estonia, model për shtetndërtim|Video
BKT
Lajme

Kurti: Estonia, model për shtetndërtim|Video

Blerim Halimi / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Estoni, pas takimit me homologen, Kaja Kallas, ka deklaruar se modeli eston i ngritjes së institucioneve është shembull të cilin Kosova e ndjek me seriozitet. 

Ai ka thënë se dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira bilaterale si dhe të kaluar të ngjashme historike.

"Ne e marrim me seriozitet modelin eston në shumë aspekte të ndërtimit të shtetit, posaçërisht me ngritjen e institucioneve, pasi duhet të kemi shtet të fortë demokratik. Kemi shumë për të mësuar nga storia e suksesit të Estonisë në E-Qeverisje dhe jemi të lumtur që kemi krijuar bashkëpunim me Akademinë e E-Qeverisjes së Estonisë, e cila po na ndihmon në zhvillimin e strategjisë, e që do të shërbejë si hartë rrugore për transformimin digjital të Qeverisë sonë”, ka theksuar Kurti në konferencën e përbashkët me kryeministren estone, Kaja Kallas.

Ai ka thënë se Estonia është mike dhe partnere strategjike e Republikës së Kosovës dhe së bashku i ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

"Kemi diskutuar çështjet e rëndësishme për vendet tona dhe gjithashtu për kontinentin tonë. Kemi diskutuar për luftën në Evropë, që është invazion i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë dhe për implikimet e saj, në veçanti në Estoni dhe Kosovë. Republika e Kosovës ka dënuar invazionin rus në Ukrainë që nga dita e parë dhe jemi solidarizuar me popullin ukrainas, duke vendosur edhe sanksione bashkë me BE dhe SHBA-në për Rusinë”, ka shtuar Kurti.

Ai në emër të Qeverisë së Kosovës e ka falënderuar Estoninë për mbështetjen e vazhdueshme për shtetndërtim dhe avancim të Kosovës drejt integrimit në BE.

“Kosova e çmon mbështetjen e Estonisë edhe për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ne e konsiderojmë integrimin në Bashkimin  Evropian dhe në NATO  si proces natyror që bazohet në orientimin strategjik të Kosovës. Ne synojmë të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe përkrahja e Estonisë në këtë drejtim vlerësohet jashtëzakonisht shumë”, ka nënvizuar Kurti.

Ai ka thënë se në takim me kryeministren estone kanë diskutuar për progresin e Kosovës gjatë 1 viti e gjysmë të qeverisjes së tij dhe për rezultatet që i ka arritur Kosova në ekonomi. Kurti ka thënë se demokracia dhe ekonomia shkojnë dorë për dore sepse janë fuqi autokratike, teksa ka thënë se esenciale për demokracinë është parimi i sundimit të së drejtës.

“Jemi nr 1 në rajonin e Ballkanit sa i përket sundimit të ligjit sipas indeksit të drejtësisë. E kemi luftuar kontrabandën, korrupsionin dhe krimin dhe kemi filluar reformimin që nga administrata në sektorin e drejtësisë dhe kemi hapur Gjykatën Komerciale për ‘i zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet bizneseve në kohë rekorde. Jemi zotuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kemi dëshmuar se Kosova se është partner përgjegjës dhe aleatë besnik për të gjitha shtetet demokratike”, është shprehur tutje Kurti.

I pyetur rreth çështjes së targave ilegale dhe zgjidhjes së këtij problemi në veri të vendit, Kurti ka thënë se zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi është në komunikime të rregullta dhe intensive me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje.

Ai ka thënë se është një pakicë ekstreme brenda komunitetit serb që po kundërshton konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS, derisa ka thënë se në ditët e ardhshme pritet të shihet se si do të mbyllen negociatat rreth kësaj çështjeje.

“Jemi duke bërë çmos për ta mbajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në këto negociata. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të plotë me njohje reciproke në qendër”.

Ndërkaq, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka thënë se marrëdhëniet mes Estonisë dhe Kosovës kanë qenë shumë të mira dhe është shprehur e lumtur që tani ato janë edhe më të ngushta sesa kanë qenë.

“Kemi diskutuar për procesin e reformimit të Estonisë, posaçërisht në fushën e qeverisjes digjitale. Ndërtimi i demokracisë nuk përfundon kurrë dhe për të kujdesemi çdo ditë. Shembull i mirë i bashkëpunimit tonë konkret është se ekspertët tanë në bashkëpunim me ekspertët tuaj do të kontribuojnë në krijimin e strategjisë së qeverisjes tuaj. Situata e sigurisë në Evropë ka qenë rikujtues i rëndësishëm i marrëdhënieve BE – Ballkani Perëndimor”, ka thënë Kallas.

Ajo po ashtu ka falënderuar Kurtin për mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës pas agresionit rus.

“Dëshiroj të ju falënderoj për mbështetjen e dhënë për Ukrainën. Keni dhënë një shembull të mirë që për ne do të thotë shumë. I keni dhënë ndihmë humanitare Ukrainës dhe i keni përkrahur refugjatët ukrainas. Sulmi rus na prek të gjithëve dhe pasojat e saj shkojnë përtej Ukrainës. Dhe këtu kemi të bëjmë me destabilizimin dhe ndikimin në fqinjësinë tuaj”, ka shtuar ajo.

E para e ekzekutivit të Estonisë e ka ritheksuar mbështetjen e plotë të shtetit të saj për Kosovën në proceset integruese euroatlantike, derisa ka mirëpritur faktin që së shpejti do të jenë sërish bashkë me Kurtin në Tiranë.

“Më vjen mirë që do të takohemi së shpejti në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe kjo do të dërgojë një porosi të fortë se ne jemi mbështetës të fortë të Ballkanit Perëndimor. Është në interesin tonë të përbashkët që sulmi rus të ndalet njëherë e përgjithmonë. Sa më shumë që zgjatë aq më vështirë do të ndalet. Duhet të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën duke i ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare. Kriminelët duhet të mbahen përgjegjës dhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i mundshëm do të përballen me drejtësinë. Kremlini duhet të paguajë edhe për çdo ndërtesë dhe rrugë të prishur”, ka nënvizuar Kallas.

 


MË SHUME NGA Lajme