Nuk ka kuorum për votimin e rezolutës për gjendjen në shëndetësi|Video
Valmira Saraçi Sahatçiu& Afet Bela/RTKlive
(E plotësuar, ora 17:55) Seanca për gjendjen në shëndetësi është përmbyllur pa vendimmarrje në mungesë kuorumi meqë në sallë pas përfundimit të debatit ishin vetëm 46 deputet. Kryesuesja, Saranda Bogujevci tha se për vazhdimin e kësaj seance do të vendosë Kryesia.
Propozuesi i kësaj rezolute, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mos realizim të programin në fushën e shëndetësisë. “Ne duhet të ecim së bashku dhe me hapa konkret. A mund ne me këtë rezolutë të kërkojmë që paga e mjekut të jetë 1800 euro. Propozime të tilla kam dhënë në ligjin e pagave, në ligjin e buxhetit, të pandemisë. Për mua shëndetësia nuk ka qenë fushë politike, por profesionale. Rezoluta jonë ka qëllim që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria”, tha Haxhiu.
LIVE|Shkreta i LVV-së dhe Bajrami nga LDK-ja replika e kundër replika
(E plotësuar, ora 17:03) Gjatë debatit të gjatë për shëndetësi në Kuvend nuk kanë munguar replikat e kundër replikat mes deputetëve nga pushteti e opozita.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta ka replikuar me ish-ministren e LDK-së, Hykmete Bajrami. “Ju po thoni se jemi këtu si grupacion politik për t’i votuar 100 milionë fondin për sigurime. Ju e keni pasur ministrin e LDK-së dhe keni mundur ta bëni një gjë të tillë...bile edhe shtesat për mjekë mezi i keni miratuar. Por, ju si grupacion politik jeni kujdesur atë kohë që të punësoni familjar të kryetarëve e anëtarëve të kryesisë”, tha ai.
Shkreta i është përgjigjur kritikave për themelimin e Komitetit për Shëndetësi që në krye ka kryeministrin Kurti. “Po kritikoni pse me shëndetësi po merret kryeministri. Nëse kryeministri do të ishte i papërgjegjshëm e nuk do ta kishte prioritet pse do ta merrte një barrë të shkaktuar për 20 vite. Ju nuk jeni serioz në mënyrën si e ngisni debatin” tha Shkreta.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke kujtuar kohën sa ishte ministre në e qeverisë “Kurti 1”, tha se në pikun e pandemisë kur ishte mbyllur vendi e kishte rënie të të hyrave për rreth 300 milion, ishin ndarë mjete për profesionistë shëndetësor.
“Në atë kohë Ministri i Shëndetësisë i pati ndarë 1500 specializime, i pati punësuar 161 mjek të specializuar, 575 profesionist shëndetësor e 300 infermier. Për 6 muaj mjekët e infermierët kanë marr shtesë nga 300 euro më pas kemi vazhduar me nga 250 euro për mjek e 150 për infermier. Në kohën kur keni ardhur ju shtesa është bërë 60 euro”, tha Bajrami.
Ndërkohë Bajrami tha se kryeministri nuk po merret me shëndetësi. “Ju thatë se kryeministri po merret me të. Ku po merret kryeministri, kryeministri është 24 orë në aeroplan. Amerika i ka thënë ministrave të kryeministrit mos udhëtoni se gjendja është serioze, ai prej asaj ditë sikur do me i dëshmuar gabim ata, ai nuk po zbret prej aeroplani” tha Bajrami. 
Tahiri i AAK-së: Shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë
(E plotësuar) Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se po të ishte prioritet sektori i shëndetësisë në ditën kur ministri Latifi ka dorëzuar dorëheqjen do të ishte zëvendësuar me një ministër të ri.
“Mungesa e një ministri tregon se nuk është prioritet, por është në retorikë”, tha ai.
Ai ka kritikuar ekzekutivin dhe shumicën parlamentare se nuk kanë sjellë ligje për shëndetësi në Kuvend, ndonëse tha se kanë qenë të parapara.
“Projektligji për Shëndetësi Riprodhuese nuk ka ardhur, ka pasur të vijë në qershor të këtij viti. Pse nuk ka ardhur Projektligji për Sigurime, ai për kontrollimin e parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, Projektligji për rregullimin e çmimeve për produktet medicinale. Pse nuk po vjen Projektligji për inspektime shëndetësore e ai më kryesori i Shëndetësisë”, ka pyetur Tahiri shumicën parlamentare nga foltorja.
“Këtë sektor e kemi në rrezik, jo nga Serbia, por nga parlamenti e nga qeveria. Nga ne e nga qeveria, pra. E ke rrezikun me ta lëshuar punën secili njeri që punon në sektor publik. Ta forcojmë QKUK-në, t’i forcojmë qendrat rajonale”, tha ai.
Tahiri i PDK-së kërkon që Qeveria të emërojë ministrin e Shëndetësisë
(E plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u ka bërë thirrje deputetëve të Vetëvendosjes që t’i bëjnë presion kryeministrit dhe qeverisë që ta mandatojë një ministër të Shëndetësisë, meqë siç ka thënë me 6 dhjetor bëhen dy muaj pa ministër.
Tahiri, tha se në të kaluarën pa dyshim se ka pasur lëshime e dështime, por edhe përparime.
Ai foli për listën e pritjes në Klinikën e Kardiokirurgjisë Invazive.
“Kur e ka dorëzuar detyrën ministri Uran Ismaili, lista e pritjeve për stenta ka qenë zero. Krimi më i madh i organizuar është pikërisht në këto çështje që janë të kushtueshme. Pra, nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për Klinikën e Urologjisë për arrestime masive apo aktakuza, kemi dëgjuar pikërisht për ‘Rastin stenta’ ku ka qenë një numër i madh i profesionistëve shëndetësor që kanë qenë të akuzuar për një gjë të tillë”, tha ai.
Tahiri, tha se aktualisht lista e pritjes për stenta është afër 2 mijë dhe sipas tij gjatë një dite mund të trajtohen vetëm dy qytetarë.
“Pra, dy në ditë e lista është 2 mijë veta. Sa vite i duhet të presë një qytetar? Ky është krimi i organizuar e korrupsioni. Kjo këta qytetar i drejton në klinika private e në klinika jashtë vendit”, tha ai.
Shëndetësia përplasë pushtetin me opozitën në Kuvend
(E plotësuar) Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati i iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së për gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Deputeti, Bekim Haxhiu në emër të PDK-së tha se këtë debat e kanë kërkuar prej dy muajsh.
Ai ka qenë kritik për mungesën e kabinetit qeveritar e të ushtrueses së detyrës së Ministres së Shëndetësisë, e ky fakt sipas tij e bënë edhe më të domosdoshëm debatin.
“Kur ne kemi kërkuar debat, kryeministri pati themeluar më 14 shtator 2022 Komitetin Ekzekutiv për Shëndetësi, që më shumë u themelua për të mbuluar dështimin në sektorin e shëndetësisë. Këtë e kishte pranuar edhe vetë kryeministri që kishte thënë në takimin e parë se gjendja në shëndetësi është tepër e rëndë për t’u menaxhuar vetëm nga ministri”, tha para deputetëve ai.
Sipas tij, pozita e ministrit të Shëndetësisë ka mbetur peng i grupeve të interesit brenda koalicionit qeverisës, LVV-Guxo.
“Koha tregoi se ky Komitet u themelua jo për të sanuar gjendjen e rëndë në shëndetësi, por për ta përzënë Rifat Latifin në Amerikë. Kjo vërtetohet me faktin se prej kur ai dha dorëheqje, ky komitet nuk mbajti më asnjë takim”, tha tutje Haxhiu.
Ai ka ngritur shqetësimin se në dy vitet e fundit afër 10 për qind e mjekëve të licencuar në Kosovë kanë ikur jashtë vendit, ndërsa sipas tij tek profesionistët shëndetësor kjo shifër është e dhe më e lartë. Prandaj ka kërkuar që Qeveria të veprojë menjëherë me rritje pagash e përmirësim të kushteve të punës.
Deputetja e Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku Mulhaxha ka reaguar ndaj fjalimit të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu duke thënë se së paku në foltore sipas saj të dilte dikush që nuk ka pasur të bëjë me menaxhimin për më shumë se 20 vjet në sektorin e shëndetësisë.

“Besoj që në këtë sallë asnjë Grup Parlamentar nuk e ka këtë të drejtë, sepse nëse do të flisnim çfarë ka ndodhur në shëndetësi e dinë edhe qytetarët edhe profesionistët shëndetësor”, tha ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes ka përmendur buxhetin e vitit 2023 që një ditë më parë mori shumicën e votave të deputetëve duke thënë se për shëndetësi janë ndarë 296 milion euro.
Ajo ka thënë se këto miliona për shëndetësi do të përdoren për mbulimin e listës së barnave esenciale, përmirësimin e infrastrukturës, shtimin e pajisjeve mjekësore, vijimin e investimeve në spitale e qendra shëndetësore.
Deputetja Fatmire Kollçaku Mulhaxha ka garantuar se do të ketë rritje pagash për profesionistët shëndetësor.
“Patjetër që Ligji i Pagave garanton rritjen e pagave, patjetër që është i buxhetuar dhe këtë po iu garantoj gjithë profesionistëve shëndetësor në momentin që kur të miratohet Ligji i Pagave, buxheti është i ndarë dhe pagat për profesionistë do të rriten. I ftoj të gjithë ata që për hir të shkollimit që kanë bërë në Republikën e Kosovës, për hir të investimeve që janë ndarë përveç buxhetit familjar, që në kontratat që do të nënshkruhen në të ardhmen t’i garantohet që së paku 5 vite të kenë detyrim që të punojnë në institucione publike deri të shkollohet kuadri pasues dhe kështu nuk do të ketë boshllëk”, ka thënë deputetja e VV-së.
Sipas saj, kryeministri doli në krye të Komitetit për të fuqizuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe jo për ta marrë atë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i LDK-së tha se tendenca për të mbuluar çdo dështim, është sipas tij “faqja e zezë”.
“Secili që ka argumente tjera është mirë ta thotë me fakte e jo vetëm ta kryejnë një detyrë të deleguar apo të imponuar”, tha ai.
Sipas tij aktualisht ka katër probleme strukturore në sistemin e shëndetësisë.
“Qeveria Kurti nuk ka vizion, nuk ka plan e është treguar që nuk ka edhe aftësi që të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë. Një ministër e ka larguar në pikun e pandemisë verore që të fitojë pushtet. Pastaj, Kurti caktoi një ministër që duket se nuk kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë e këtë e kuptoi vetëm pasi e la detyrën. Dhe çka tha ai pastaj. Qeveria Kurti e ka ndërtuar një ambient toksik brenda MSH-së dhe korruptiv. Dorëheqja e këtij ministri dhe caktimi i një ekipi tjetër për menaxhim të shëndetësisë nuk është tregues tjetër, përpos që është pranuar dështimi në këtë sektor”, tha Zemaj.
Ish-ministri shtoi se vetëm 6 për qind e investimeve kapitale në shëndetësi janë realizuar sipas raporteve zyrtare, e kjo, tha ai, është mesatarja më e tmerrshme sesa mesatarja prej 10 për qind e realizimit të investimeve në të gjitha ministritë.
‘Nga 10 milionë e 63 mijë euro janë shpenzuar diku 530 mijë euro, e ne flasim këtu për buxhet shtesë”, vazhdoi ai.
Zemaj tha se Qeveria ka dështuar në sektorin e shëndetësisë.
“Kosova po përballet me largim të profesionistëve shëndetësor për shkak të pagave të ulëta e trajtim të keq të punonjësve. Për këto akoma dy vite 350 mjekë e kanë lëshuar Kosovën pa përfshirë edhe të tjerët që kanë kaluar në sektorin privat nga ai publik. E për fat të keq për shkak të keq menaxhimit edhe 362 mjekë sillen rrugëve të papunë”, tha Zemaj.
Ndërkohë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se shumë flitet për shëndetësi e veprimet janë të pakta.
“ Çka mund të flasim sot për shëndetësinë aktuale, pa strategji e veprime ad-hoc, pa ministër mbi 2 muaj, me ushtrues detyre në menaxhimin e SHSKUK-së, me emërimin e ushtruesve të detyrave pa përvojë menaxheriale, me rritje 4.4 për qind të buxhetit përkundër inflacionit që është 20 për qind”, tha ai.
Tutje Dreshaj tha se lista e pritjeve është mbi 1 vit, me mungesë të barnave e rritje simbolike të fondit për blerjen e barnave kur çmimi është rritur sipas tij, 100 për qind.
“Kemi ikje të profesionistëve shëndetësor, mungesë të anesteziologëve, kërcënim të mbylljes së klinikave në mungesë të ekspertëve”, vazhdoi ai.
Dreshaj tha se shumica e Klinikave e mbajnë emrin e klinikave e nuk e kanë asnjë profesor brenda.
Ndërkohë, Haxhi Avdyli që është deputet i partisë Guxo në kuadër të Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se për shëndetësinë ka pasur debate e rezoluta, konferenca e tryeza derisa sipas tij, ky debat po vazhdon për problemet e njëjta që po vazhdojnë tash e dy dekada.
“Sot e kemi sektorin e shëndetësisë me shumë probleme, por nuk kemi arritur ta krijojmë sistemin shëndetësor, një sistem funksional. Sot, në sektorin e shëndetësisë kemi pjesëza të suksesshme të këtij sektori, por ka edhe pjesëza jo funksionale”, tha ai.
Ai tha se të gjitha partitë kanë udhëhequr me këtë sektor, dhe tha se edhe partive minoritare iu ka ardhur rendi që të udhëheqin me këtë sektor.
“Këtë sektor e ka udhëheqë edhe LVV për 2 vite, prandaj siç duhet t’i ndajmë meritat duhet t’i ndajmë edhe përgjegjësitë për atë që nuk kemi arritur ta ringrisim një sektor funksional shëndetësor. Sot, ky sistem ka shumë mungesa, shumë paqartësi ka shumë ushtrues detyre ka shumë keq-menaxhim. Kemi edhe sektorin e informimit shëndetësor që nuk po funksionon dhe që në 2017 është kthyer në pikën zero. Sot kemi dëshpërim të punëtorëve shëndetësor e pakënaqësi nga pacientët. Ky dëshpërim e kjo pakënaqësi nuk është e tanishme, por e shtresuar dhe e grumbulluar”, theksoi Haxhiu.
Ai ka përmendur ikjen e mjekëve që tha se po bëhet jo veç për shkak të pagës së ulët, por edhe presionit.
“E vërtetë që në të shumtën e rasteve ka edhe ikje të tyre që janë edhe për shkak të pagës së ulët edhe për shkak të kushteve jo të mira, por shpeshherë edhe keqmenaxhimit apo presioneve të panevojshme menaxheriale që po ndodhin te mjekët dhe punëtorët shëndetësor”, tha ai.
Votohet Projektligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar, në parim, me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Pjesë e votimit ishin edhe disa nga deputetët opozitarë.
Kjo pikë ishte qysh nga seanca e 7 tetorit për çka atë kohë nuk kishte kuorum që e njëjta të votohej, ndonëse kishte përfunduar debati.
Ndërkohë, në këtë seancë po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, iniciativë e deputetëve të PDK-së.
Gjithashtu pritet që në këtë seancë të bëhet shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021, si dhe Raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.























