Mehmeti:Fitorja ndaj IuteCredit, tregon se BQK ka marrë vendime të ligjshme
A.Bela/ RTKlive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës, Fehmi Mehmeti tha për RTKlive se Kosova ka fituar rastin në të gjitha pikat e kontestuara në rastin e IuteCredit.
“Kemi një konfirmim që në rastin e IuteCredit kemi një fitore të plotë në të gjitha pikat që janë kontestuar. Republika e Kosovës nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit do të paguhen nga IuteCredit. Kjo tregon shumë për neve si BQK, tregon që vendimet që i kemi marrë, gjithmonë kanë qenë në favor tonin. Kanë qenë vendime të ligjshme dhe kjo tregon që ligjshmërinë e kemi pas gjithmonë prioritet”, tha ai për RTKlive.
Sipas tij deri tani, jo vetëm këtë rast por asnjë rast sa i përket vendimeve gjyqësore, gjithmonë i kemi fituar.
““IuteCredit” ka bërë një varg shkeljesh por më e rëndësishmja është ajo e moszbatimit të planit të biznesit. Ajo nuk e kanë zbatuar planin të cilin e kanë paraqitur kur kanë kërkuar licencim. Ky insitucion i ka pas një varg shkeljesh që në rend të parë ka qenë moszbatimi i planit të biznesit. Kërkesa ka qenë që të zbatohet plani i biznesit të aplikohen normal e interesit dhe në bazë të planit të biznesit dhe normave të interesit në bazë të cilave kemi marrë regjistrimin dhe njëkohësisht nuk është zbatuar plani i biznesit. Ky institucion mikrofinanciar kishte norma stratosferike të interesit të cilat nuk ishin në përputhje me ligjet të cilat janë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Sipas tij IuteCredit” ka aplikuar norma të interesit me 500 për qind, 600 për qind e 700 për qind në raste të caktuara dhe sipas tij kjo ka qenë jashtë planeve të bizneseve që kanë marrë regjistrim dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që ne ia kemi heq regjistrimin.
“IuteCredit”, Banka Qendrore e Kosovës kishte fituar rastin edhe ndaj institucionit mikrofinanciar “Monego”.























