Boletini: Shpresojmë që të rritet buxheti i RTK-së për vitin 2023 |Video
Valbona Thaçi/ RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka ndarë dje 8.9 milionë euro për vitin 2023 për RTK-në. Kjo shumë po konsiderohet e pamjaftueshme për funksionimin normal, gjë që ka nxitur edhe reagimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se kanë pasur pritje me të mëdha për rritje të buxhetit për RTK-në për vitin 2023.
“Kemi pas pritje më të mëdha, ne e kemi dërguar një propozim në komisionin për buxhet dhe duke marrë parasysh angazhimin prej mandatit tonë si bord edhe reformat që i kemi filluar dhe do të vazhdojmë me një reformë më të madhe, kemi prit më shumë përkrahje, kështu që tani është vetëm leximi i parë dhe shpresojmë që në leximin e dytë do të ketë ndryshime, do të ketë shtim të buxhetit, ajo që duhet ta theksoj është që ne nuk kemi kërkuar buxhet për paga, por insistimi ynë është që të kemi mundësi më shumë për të investuar në pajisje të cilat mungojnë”, tha Boletini.
Sipas tij në RTK mungojnë pajisjet elementare të punës dhe gjithashtu duhet të bëhen edhe disa investime në aspektin programor sepse këtë vit, RTK nuk ka arrit as aspektin ligjor sa i përket produksioneve të jashtme .
“Për ne është shumë jetike buxheti të jetë më i madh, ndërsa në anën tjetër ne jemi angazhuar dhe kemi rritje të të hyrave në marketing, por janë të pamjaftueshme për të realizuar komplet misionin që kemi. Në projeksionin që kemi dërguar i kemi paraqit nevojat reale për funksionimin sa më të mirë të RTK-së dhe atë e kemi theksuar edhe në mbledhje të komisionit për buxhet por edhe ne takimet tjera që i kemi pas që ne konsiderojmë që viti 2023 të jetë një vit i fuqishëm në aspektin programor po edhe atë teknik dhe vizual që ne e shfaqim e pastaj në kuadër të punës dhe planit tonë si e kemi është që viti 2024 ne të fillojmë me parapagim që është në planin tonë dhe jemi duke punuar në finalizimin e modeleve të financimit të RTK-së që nënkupton qe nuk do të kemi nevojë të marrim mjete prej buxhetit të shtetit, por do të bëhet parapagimi direkt nga qytetarët e Republikës së Kosovës, prandaj 2023 na duhet që të jetë shumë e fuqishme. Ndërsa buxheti shtesë është e domosdoshme, sepse kur kemi ardhur vitin e kaluar kemi gjetur 1.6 milionë euro borxhe të cilat i kemi trashëguar dhe rrezikohemi në çdo moment që këto të merren përmes përmbaruesve të cilat pastaj na e prishin komplet strukturën buxhetore dhe këtë buxhet që është dedikuar tani është vështirë me i paguar”, tha ai.
Boletini ka bërë të ditur se kanë dërguar një kërkesë të elaboruar dhe detajuar se pse duhen mjete shtesë, ku është cekur aspekti programor, teknik dhe krejt nevojat tjera përfshirë edhe borxhet, si dhe domosdoshmërinë e një pune në këtë momentum këtu ku jemi, që viti 2023 të jetë një vit me një progres të dukshëm.























