Mehaj takim me tre senatorë amerikanë: FSK e gatshmë të ndihmojë Ukrainën
J.Musliu/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka mbajtur një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Kirsten Gillibrand dhe Mike Rounds, të cilëve ua shprehu gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje nëpër misionet e NATO-s.
Ai ka deklaruar se partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pashkëputshëm dhe i përjetshëm.
“Gjatë takimit me senatorët, Jeanne Shaheen, Kirsten Gillibrand dhe Mike Rounds, biseduam për situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës, me ç'rast i njoftova dhe për avancimet e Republikës së Kosovës në shumë fusha, si në luftimin e korrupsionit, që sipas matjeve të Transparency International jemi ngjitur për 17 vende, në sundimin e ligjit që sipas World Justice Project jemi renditur të parët në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen ekonomike që po ruan trendin pozitiv, si tregues të një shteti stabil, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për destabilitet nga jashtë në rrethanat aktuale gjeopolitike, agresionit rus në Ukrainë dhe shtrirjes së ndikimit në Ballkan”, shkroi Mehaj në një postim në Facebook.
Ai tha se Kosova është e angazhuar maksimalisht që si shtet të të ruajë paqen dhe stabilitetin, të ofrojë mbrojtje dhe siguri. “Andaj i njoftova dhe për buxhetin që është ndarë në këtë drejtim, për avancimet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës sa i përket implementimit të Planit të Tranzicionit, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale përmes bashkëpunimit të pandërprerë me shtetet aleate në trajnime e misione të përbashkëta, dhe sërish theksova para senatorëve rëndësinë e vendosjes së bazës së përhershme ushtarake të ShBA-së në Kosovë, si dhe investimin në industrinë e mbrojtjes”.
Mehaj më tej ka theksuar se strehimi, sigurimi i transportit për refugjatët afganë, gatishmëria jonë për të strehuar refugjatë ukrainas, dhe për të trajnuar ushtarakët ukrainas në fushën e deminimit dhe kërkim-shpëtimit si dhe gatishmëria e FSK-së për të marrë pjesë në çdo mision tjetër të NATO-s, ishin disa nga çështjet të cilat u vlerësuan nga ana e senatorëve si hapa të rëndësishëm të një shteti që përqafon vlerat evropiane dhe aspiron anëtarësimin në NATO dhe BE.
“Ashtu si çdoherë dhe gjithmonë, rikonfirmuan përkrahjen e pakursyer për Republikën e Kosovës, si shtete mike që na bashkon historia dhe na shoqëron bindja e thellë e sundimit të vlerave demokratike dhe lirisë së popujve”.























