Borrell e Lajçak nesër takim trepalësh me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Borrell e Lajçak nesër takim trepalësh me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

Jeton Musliu/RTKlive

Ditën e parë të javës, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Jopsep Borrell do ta nisë me takime të nivelit të lartë në Bruksel.

Në takime të ndara, ai do të diskutojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, çështjen e targave ilegale të automjeteve që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës.

Për këtë problem, ka një marrëveshje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe tani Kosova dëshrion që ajo të zbatohet, por kjo kundërshtohet nga Serbia, raporton RTKlive.

Siç njofton Zyra për Media e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Sugurisë, pas këtyre dy takimeve, do të pasojë i treti.

Borrell i cili në të gjitha këto takime do të mbështetet nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak,  do të ketë një takim trepalësh mes tij, kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.  

“Të hënën më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë”, njofton Bashkimi Evropian.

“Ai do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”, shkruan në njoftimin zyrtar.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”.

Kështu, bazuar në këtë njoftim, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, do të nisë me takime të veçanta me secilin lider, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit, e më pas do të ketë edhe një takim të përbashkët.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, shkruan në këtë njoftim.

“Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi Lartë”.

Ky takim mbahet në kohën kur serbët e Kosovës me direktiva të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e  Kosovës, në katër komunat në veri të vendit.

Policë, gjyqtarë, prokurorë e zjarrëfikës, kanë braktisur detyrat e tyre, veprim që e kanë bërë edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e të cilët më vonë ndryshuan mendje, dhe të tjerë që ishin në listën e pritjes, dhanë betimin dhe rimorën mandatet.

 


MË SHUME NGA Lajme