Bislimi e Petkoviq takim për targat në Bruksel
BKT
Foto arkiv: Nga pofili i Lajçakut në Twitter
Lajme

Bislimi e Petkoviq takim për targat në Bruksel

M.Shefkiu/RTKLive

Kryenegociatorёt nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për çështjen e targave ilegale serbe. Sipas burimeve të RTK-së, palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar "urgjent"

Ky takim vjen në kuadër të shfrytëzimit të periudhës 48 orëshe që ka dhënë Qeveria e Kosovës në mëngjesin e djeshëm, para se të fillojë shqiptimi i gjobave.

Takimi zhvillohet dy ditë pas dështimit tё raundit me tё lartё politik që u mbajt, të hënën nё Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell. Ky takim përfundoi pa marrëveshje.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell ka fajësuar palën e Kosovës për mosarritjen e marrëveshjes, të hënën.

Borell në një intervistë për portalin “euractiv” ka thënë se BE nuk është vetëm ndërmjetësues i dialogut, 'por edhe më shumë'.

“Ne nuk jemi ndërmjetës, nuk jemi as arbitër, jemi shumë më tepër se kaq sepse të dy vendet duan të bëhen anëtarë të BE-së. Kemi levën në dorë”, ka deklaruar mes tjerash Borell.

E me qëllim që t’i iket ndonjë eskalimi të gjendjes në veri, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar të hënë në mesnatë nga Qeveria e Kosovës edhe 48 orë kohë për t’i dhënë mundësi dialogut. Kjo kërkesë u pranua nga kryeministri Kurti.  

Ndërkaq nëse nuk arrihet edhe sot ndonjë marrëveshje, pas afatit 48 orësh që kalon nesër, fillon faza e dytë e vendimit të Qeverisë, e cila parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale.


MË SHUME NGA Lajme