Makreshi: Qeveria po mbështet fuqizimin e grave në Kosovë
A.Bela/ RTKlive
Instituti Demokraci për Zhvillim, sot ka organizuar konferencën rajonale, në të cilën është publikuar edhe hulumtimi rajonal “(Pa) Fuqia Ekonomike e Grave në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor”.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Resul Makreshi, tha se Qeveria e Kosovës, angazhohet për gratë që ato të fuqizohen sa më shumë në tregun e punës.
“Qeveria e Kosovës ka disa prioritete. Në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike ekzekutivi i ka mbështetur gratë”, tha ai.
Ai ka përmendur mbështetjen që Qeveria po jep për mbi 250 mijë fëmijë me shtesa mujore, si dhe përkrahjen për gratë lehona, raporton RTKlive.
Makreshi ka folur edhe për luftimin e ekonomisë informale që institucionet e Kosovës po e bëjnë në këtë kohë. “Ka ndodhur që gratë janë larguar nga puna për shkak të shtatëzanisë, andaj edhe formalizimi është një hap drejt ekonomisë formale”, theksoi ai.
Gjithashtu në këtë konferencë kanë marrë pjesë një gamë e gjerë pjesëmarrësish nga komuniteti lokal dhe ndërkombëtar.
Ky hulumtim është realizuar në partneritet me Center for Research and Policy Making (Maqedoni e Veriut), Institute for Strategic Studies and Prognoses (Mali i Zi), Gender Alliance for Development Center (Shqipëri) dhe Foundation BFPE for Responsible Society (Serbi).























