Kurti: Propozimi për marrëveshjen finale duhet të merret seriozisht
BKT
Lajme

Kurti: Propozimi për marrëveshjen finale duhet të merret seriozisht

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i vendit në konferencë është pyetur nga gazetarët për detaje të atyre tetë opsioneve që i përmendi gjatë mbledhjes me kabinetin. 

Kurti tha se ka menduar që kur foli ishte bisedë vetëm mes tyre, por tha se nuk mund të ndajë detaje me gazetarët më shumë se që ndau me kabinetin.

“Unë kur fola për tetë opsionet besova që fola vetëm midis nesh, me kabinetin qeveritar, unë nuk mund të them diçka më shumë për ju se sa për anëtarët e kabinetit. Tetë opsione kanë qenë gjatë gjashtë  muajsh. E keni parasysh shtatorin e vitit 2021 kur u patën grumbulluar forcat serbe rrotull kufirit të Kosovës që erdhi t’i inspektonte edhe ambasadori rus? Që prej atëherë gjashtë muaj është negociuar ku kanë shkuar ekspertët e njohësit e çështjeve teknike dhe kanë ardhur në përfundim me anën e ndërmjetësit që janë tetë modele. Është kërkuar nga palët të zgjedhin modelin e preferuar. Nëse dy palët nuk e zgjedhin të njëjtin model duhet të vazhdojnë negociatat. Ne i kemi preferuar tri modele pak a shumë dhe pesë modele do të ishin të papranueshme, por Serbia nuk e ka pranuar asnjë. Kjo është dosja e ndërmjetësit”. 


Ai tha se mund të jetë transparent për procesin, por konfidenciatiteti i bisedimeve është zotimi i tyre ndaj ndërmjetësit.


“Ndonjëherë është BE-ja që mund t’i bëjë publike këto gjëra, nëse ne do t’i bënin publike do të fajësoheshim pastaj. Ndërmjetësi vendosë për këtë gjë. Unë po iu informoj se ne kemi qenë të gatshëm.

Kurti, ka përmendur edhe një fakt që thotë se më nuk po përmendet asnjëherë nga BE-ja.
“Me 18 gusht ka pasur edhe një zhvillim tjetër interesant që nuk përmendet sot. Jemi dakorduar për tekstin, për marrëveshjen për të pagjeturit, për të zhdukurit me dhunë. Teksti është dy faqe, mungojnë veç nënshkrimet, i imi jo, unë isha i gatshëm, Serbia refuzoi. U dakorduam për tekstin, merreni me mend  në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar. Asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritikë ndaj Beogradit. Edhe njëherë po e them, ne jemi të përcaktuar për rrugën evropiane, kurrë nuk hidhërohemi, kurrë nuk mbajmë inat, veç të kryejmë punë. Për të kryer punë duhet që tema të merret seriozisht. Tema është propozimi e marrëveshja finale”, tha ai 

Kurti, tha se orët po shkojnë, por po bëhen përpjekje maksimale që dakordimi të arrihet brenda kësaj kohe. 


“Po shkojnë orët është e vërtetë, por deri në minutën e fundit nuk është e drejtë të flasim që çka do të ndodhë kur të skadon afati sepse tash duhet ët jemi të përqendruar në përpjekje maksimale që dakordimi të arrihet para se të bëhen 48 orë”, shtoi ai.

Kurti, tha se afatin mars 2023 nuk e ka shkruar ai, por Brukseli.

 “Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike është paragrafi që bisedimet përfundojnë në marsin 2023 andaj unë kam shkuar, për herë të parë kemi afat. A e dini çfarë kam kërkuar? ... të jetë shkurti 2022, më thanë jo nuk bën shkurti, por marsi. Unë pranova të jetë marsi, ata e lanë krejt. Marsi nuk është ide e imja. Unë kisha qejf para shkurtit, ata thanë para marsit. Mua ashtu më kanë ftuar, me atë ftesë unë kam blerë biletën e avionit”.

Ai ka thënë se me Borellin nuk është hera e parë që kanë mospajtime, ndonëse tha se takimet me kryediplomatin evropian janë pozitive e konstruktive.

“Por, çka është e reja kësaj radhe nuk është që ai nuk po pajtohet me mua, por nuk po pajtohet me propozimin e BE-së, se të mos pajtohet me mua nuk është hera e parë”, tha ai.

Kurti: Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se afati prej 48 orësh për targat u shty për t’i dhënë një mundësi arritjes së një marrëveshje që ishte afër të ndodhte në Bruksel.

“Po bëhen përpjekje maksimale, jemi treguar konstruktiv e aktiv, e  asnjëra prej tyre nuk vlen për palën tjetër. Në takimet e tanishme kemi qenë të tillë e të tillë do të jemi edhe në takimet e ardhshme përfshirë edhe atë që zëvendësi im do ta ketë me Lajçakun e përfaqësuesin e Serbisë”, tha Kurti.

Kreu qeveritar tha se propozimi evropian i mbështetur nga Gjermania, Franca e SHBA duhet të vendoset në tryezë një orë e më parë.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj. Unë si kryeministër e si Republikë jemi të gatshëm që propozimi i BE-së i mbështetur nga SHBA, Gjermania e Franca të vendoset në tryezë një orë e më parë”, shtoi kreu i ekzekutivit.

Këto deklarime kreu qeveritar i bëri pasi fillimisht foli për dy projektligjet që kaluan si kabinet atë për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e pagave.

Kurti ka treguar se sa do të jetë dallimi në pagë, duke marr shembull pagën e presidentes dhe një ushtari të thjeshtë.

 “Projektligji adreson këtë problematikë dhe sjellë dallimin në më pak se pesë herë.  Në bazë të projektligjit, dallimi në mes të koeficientit të Presidentit si komandant suprem dhe ushtarit të thjeshtë të FSK-së është vetëm 3.21 herë, ndërsa dallimi mes pagës së presidentit dhe mjekut specializant është vetëm 1.5 herë, pra presidentja e ka pagën më të madhe se mjeku specializant vetëm 1.5 herë”, tha ai.

Kurti tregoi se këto projektligje do të hyjnë në fuqi pas miratimit në Kuvend e dekretimit nga presidentja.

Kurti: Qëllimi i ndërmjetësve të jetë marrëveshja ligjërisht e obligueshme

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë adresimit të tij para kabinetit qeveritar ka thënë se në Bruksel shkon vetëm për marrëveshjen finale me Serbinë, derisa është shprehur këmbëngulës për të mos bërë pazare me çështje të sundimit të ligjit në vendin tonë.

Ai tha se në Bruksel shkon veç për marrëveshjen finale për normalizim me njohje reciproke.

“Ky është kuptimi, ndërkaq autorët e propozimit të BE-së e braktisën propozimin e tyre prandaj edhe takimi përfundoi. Sikurse me 18 gusht edhe këtë herë unë isha i fundit që lëshova ndërtesën e BE-së, sepse gjithmonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fundit, dhe më duhet t’iu njoftoj që ka qenë edhe përpjekja e fundit. Lajçak ka ardhur dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst që do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së, mirëpo pastaj na njoftoi që presidenti i Serbisë nuk e kishte pranuar ndërkaq përfaqësuesi i Lartë i BE-së tashmë ndodhej në konferencë për media. Tek ne ekziston edhe qëllimi, edhe qëndrimi, edhe arsyet, edhe argumentet për të arritur marrëveshje ligjërisht të obligueshme, por ky duhet të jetë edhe qëllimi i ndërmjetësve”, tha Kurti.

Tutje kryeministri theksoi se vendimi për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit.

“Është vendim i Qeverisë. Ajo çfarë kemi treguar ne është zemërgjerësia jonë që t’i japim shanse jo vetëm ligjshmërisë e kushtetutshmërisë por edhe brengave të atyre për mundësitë e cenimit e paqes dhe sigurisë duke diferencuar qasjen e duke sekuencuar implementimin. Po i afrohemi numrit të 2 mijë të qortimeve dhe vërejtjeve dhe asnjë incident, asnjë ankesë, dhe dy muaj pastaj gjobitje jo konfiskim targash, por gjobitje këtë e parasheh edhe ligji. Ne nuk e negociojmë vendimin, ne e kemi treguar zemërgjerësinë tonë sa i përket mënyrës dhe kohës së implementimit. Shtrohet pyetja pse e kemi sjellë ne këtë vendim në fund të qershorit. Ka ndodhur sepse 6 muaj është negociuar për targa në Bruksel dhe në fund kanë qenë 8 opsione. Prej këtyre 8 opsioneve po ua them nja tri kanë qenë më të përshtatshme për ne, e nja 5 jo, e Serbia nuk e ka pranuar asnjë i ka refuzuar të gjitha 8 opsionet”, shtoi Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit, ky vendim nuk u mor as në prill kur Serbia i refuzoi 8 opsionet, as në maj, por në fund të qershorit.

“Vendimi ynë erdhi dy muaj pas dështimit të negociatave me fajin e Serbisë, e cila i ka refuzuar të gjitha 8 opsionet për targat. A e kuptoni çfarë zemërgjerësie të qeverisë ka përgjatë këtij viti por edhe të vitit që shkoi. Ne nuk kënaqemi teksa gjobisim, nuk është dëshirë, është detyrë. Jo dëshirë e individit, por obligim e detyrë sipas ligjit të shtetit tonë. Njësoj sikurse këto janë çështje të sundimit të ligjit në vendin tonë nuk mund të jenë dorëheqjet e kthimet e zyrtarëve publik e shtetëror çështje të pazareve sepse që të gjitha janë të rregulluara me ligj. Ju e patë që deputetët e Listës Serbe dolën nga institucionet, e të tjerë prej tyre u kthyen dhe bënë betimin. Kjo është mënyra se si kthehen në institucione duke bërë betimin, duke respektuar ligjet e kushtetutën. Nuk jemi ne shtet diktatorial që vendosë se kush kur shkon e kush kur kthehet. Shteti ka kushtetutë e ligje  procedura”, theksoi Kurti.

Në fund të adresimit të tij para kabinetit qeveritar, Kurti tha se takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta. “... e unë natyrisht pres që kjo të vazhdojë. Sot në Bruksel ndodhet zv/kryeminsitri Besnik Bislimi, mbase do të ketë edhe një takim me përpjekje që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë”, tha Kurti.

Kurti: Borell iu përshtat qëllimit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para kabinetit qeveritar për takimin tetorësh të nivelit të lartë me presidentin serb e zyrtarët e lartë evropian, që rezultoi pa marrëveshje. Ai para kabinetit qeveritar ka shpalosur detaje nga ky takim.

Shefi qeveritar tha se ftesa që e mori të premten e javës së shkuar nga kryediplomati evropian Josep Borell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafë që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund.

“Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE-së, të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në të tretin paragraf teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur  një marrëveshje para marsit 2023”, tha Kurti në nisjen e mbledhjes së Qeverisë.

Tutje kreu qeveritar tha se propozimin e Borellit e mirëpriti meqë paraqiste një bazë të mirë për diskutim.

“Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave se bashku me çështjen e garancioneve për komunitetin serb që do të diskutoheshin në propozimin e BE-së, pra në marrëveshjen për normalizim”, tha tutje Kurti.

Por, siç tregoi shefi qeveritar parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë.

“Ne ishim të pajtimit që për t’i dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE-së të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, por natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale, sepse nuk ka kuptim të mos vazhdohet faza e dytë, të kalohet nga vërejtjet e qortimet te gjobat, të mos ekzekutohen gjobat e në anën tjetër të vazhdojnë të lëshohen targat ilegale”, shtoi kreu i Qeverisë.

Kurti tregoi se ky propozim u pranua dhe sipas tij ishte një e arritur e rëndësishme e takimit.

Ai tha se komuniteti serb në Kosovë është komuniteti më i mbrojtur e privilegjuar në kushtetutën e Republikës.

“Kjo është rezultat i marrëveshjes gjithëpërfshirëse të Ahtisarit. Të drejtat për pakica në Kushtetutën tonë nuk i gjen në atë të Serbisë e as në shumë e shumë vende të tjera përfshirë edhe kushtetutat në vendet më të avancuara të BE-së” tha Kurti.

Kryeministri tutje përsëriti se krydiplomati Borell ishte ai që fatkeqësisht e ndryshoi e premisën e negocimit.

“Ai filloi të insistonte në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targa. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko -gjermane u zhduk nga tavolina duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit në takimin e 18 gushtit, ishin dy pika të rendit të ditës, e para korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe  e dyta çështjet aktuale.

“Unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve sepse liderët shtetëror thirren për të bërë marrëveshjen e madhe, pra e ripërsërisë unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri e as zyrtar dogane, që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike të cilat dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione e organe përkatëse”, theksoi Kurti.

Ai tha se në Bruksel shkon veç për marrëveshjen finale për normalizim me njohje reciproke.

“Ky është kuptimi, ndërkaq autorët e propozimit të BE-së e braktisën propozimin e tyre, prandaj edhe takimi përfundoi. Sikurse më 18 gusht edhe këtë herë unë isha i fundit që lëshova ndërtesën e BE-së”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit në takimin e 18 gushtit, ishin dy pika të rendit të ditës, e para korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta çështjet aktuale.

“Unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve sepse liderët shtetëror thirren për të bërë marrëveshjen e madhe, pra e ripërsërisë unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri e as zyrtar dogane, që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike të cilat dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione e organe përkatëse”, theksoi Kurti.

 


MË SHUME NGA Lajme