Haradinaj: Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Pas vendimit qeveritar që me shfuqizimin e vendimit të vitit 2017, të ulen pagat e gjyqtarëve e prokurorëve ka reaguar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj në kohën e së cilit ishte marr ky vendim.
Ish-kryeministri dhe lideri AAK-së akuzoi kryeministrin se ka marrë mision, siç tha ai, shkatërrimin e shtetit.
“Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas ish-kryeministrit me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi i tij për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot, tha ai, drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara.
“Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit”.
Ai ka ftuar kryeministrin t’i kthejë menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë. “Sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia. Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Haradinaj.
























