Tahiri: Ligji për zyrtarët publikë dhe ai pagave, virusi i administratës
Fadil Sertolli / RTKlive
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se Ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat janë virusi më i madh që ka hyrë në administratën shtetërore.
Sipas tij, pas miratimit të dy projektligjeve nga kabineti qeveritar, të dy këto nisma ligjore e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror.
Tahiri në këtë konferencë tha se këto dy projektligje nuk duhet të kalojnë në Kuvend pa u amendamentuar dhe se duhet të ndalohen edhe përmes interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai po ashtu tha se sot Qeveria e Kosovës, në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut.
“Nuk ka një vend as në kontinentin e Evropës, e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kap administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për zyrtarët publikë, 1600 pozita i kthen prej pozitave të shërbimit civil në karrierë, në pozita me mandat politik katër-vjeçar që nënkupton e bën një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, tha ai.
Sipas tij, këto dy ligje, e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror, zyrtar në Administratë të shtetit për një karrierë të mirëfilltë profesionale dhe për një rrogë të dinjitetshme.
“Nuk ka vend në kontinent, i cili në këtë krizë ekonomike dhe pas pandemisë, i zvogëlon rrogat. Sot gjyqtarët, prokurorët, një numër i madh i zyrtarëve publikë janë në ethe dhe janë pa shpresë nga dy ligje që në fakt janë sëmundje dhe virusi më i madh që i ka hyrë administratës shtetërore tash e 20 vjet”, tha Tahiri.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se qëllimi i qeverisë është që të deformohet sistemi në administratë.
“Qëllimi është shumë i thjeshtë: të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj dhe në të njëjtën kohë të stimulohet nepotizmi, klientelizmi politik dhe qe besa edhe korrupsioni”, tha Tahiri.
Këto dy ligje, sipas tij, nuk duhet të kalojnë në këtë formë në Kuvend. “Në qoftë se nuk amandamentohen duhet në çdo formë t’i ndalim deri tek apelimi në Gjykatën Kushtetuese. E ka mbajtur peng Kosovën, qytetarët e Kosovës, të punësuarit në sektorin publik që 20 muaj duke folur për Ligjin për pagat dhe në fund i ka kaluar dy ligje që e vrasin shpresën e secilit të punësuar”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.























