Hoti reagon për kontratën kolektive dhe uljen e pagave
Foto: RTKlive
Lajme

Hoti reagon për kontratën kolektive dhe uljen e pagave

V. Thaçi / RTKlive

Ish-kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar për shkëputjen e kontratës kolektive me SBASHK-un dhe uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Ai ka thënë se arsyetimi i ministrisë së Arsimit për shkëputjen e njëanshme të kontratës kolektive është marrëzi, dhe se në këtë kohë të krizës dhe inflacionit të lartë, pagat duhet të rriten e jo të ulen.

Hoti ka thënë se pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të prekën dhe se vendimi i sotëm i Qeverisë Kurti është joligjor.

Ai ka treguar edhe kohën kur është shqyrtuar ky vendim gjatë qeverisjes VV-LDK.

“Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor.  Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit, për arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”, ka shkruar Hoti.

Ish-kryeministri ka reaguar edhe për shkëputjen e kontratës kolektive nga ministria e Arsimit, ku ka thënë se arsyetimi i kësaj ministrie për shkëputjen e njëanshme të kontratës kolektive është marrëzi.

 “Ky veprim është një tjetër shkelje ligjore e Qeverisë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë Hoti e ka bërë të qartë se vendimet e asaj qeverie mbesin në fuqi.

“Ato vendime e kanë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e plotë, sepse ajo Qeveri është votuar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ato vendime nuk mund të kontestohen nga askush me vendime dhe veprime politike”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se kjo Qeveri e ka humbur rrugën, pasi konfrontohet me aleatët për targa, por konfrontohet edhe me arsimtarë e mjekë për pagat që u takojnë. 

“Kjo Qeveri dëshiron ta rrëzojë veten. Por tash nuk mund t’i ikë përgjegjësisë, vetëm nëse vetë e ngrit flamurin e bardhë”, ka shkruar tutje ai.


MË SHUME NGA Lajme