LAJMI I FUNDIT|Marrëveshja: Serbia s`lëshon targa, Kosova ndërpret veprimet
Foto: Nga pofili i Lajçakut në Twitter
Lajme

LAJMI I FUNDIT|Marrëveshja: Serbia s`lëshon targa, Kosova ndërpret veprimet

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Në një postim të dytë në llogarinë e tij Twitter, Borrell deklaroi shkurt pikën e marrëveshjes.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, shkroi Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.

“Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, sqaroi ai, duke falendëruar për angazhim, Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak si dhe “palët për një punë të palodhur”.

Arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Lajmi është njoftuar nga Josep Borrell, përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri. Ai shkroi në Twitter se “kemi marrëveshje!”.

“Shumë i kënaqur të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së, janë dakorduar për ndërmarrjen e masave për shmangie të përshkallëzimit dhe të përqëndrohen plotësisht në propozimin për normalizim të marrëdhënieve”, shkroi Borrell, pa dhënë detaje të tjera.

Sidoqoftë, hollësi  të tjera pritet të jepen në orët në vazhdim.

Nis takimi Bislimi-Petkoviq, Lajçak shpreson në marrëveshje

M.Shefkiu/RTKlive

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për fillimin e takimit në Bruksel, ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.  Në një postimi në Twitter, Lajçak tha se ky takim është vazhdimësi i atij të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq dhe se shpreson që do të gjejnë një zgjidhje sot.

“Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë sot të gjejmë një zgjidhje për depërshkallëzimin e tensioneve në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve. Bisedimet janë duke vazhduar”, ka  shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe ky takim vjen në kuadër të shfrytëzimit të periudhës 48 orëshe që ka dhënë Qeveria e Kosovës në mëngjesin e djeshëm, para se të filloj shqiptimi i gjobave. Takimi zhvillohet dy ditë pas dështimit tё raundit me tё lartё politik që u mbajt të hënën nё Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell. Ky takim përfundoi pa marrëveshje.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell ka fajësuar palën e Kosovës për mosarritjen e marrëveshjes, të hënën.

Nëse nuk arrihet edhe sot ndonjë marrëveshje, pas afatit 48 orësh që kalon nesër, fillon faza e dytë e vendimit të Qeverisë, e cila parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale.


MË SHUME NGA Lajme