Ndërtimi i rrugës Plavë-Deçan, temë diskutimi Abazoviq-Hoxha
Foto: Zyra e Kryeministrit të Malit të Zi
Lajme

Ndërtimi i rrugës Plavë-Deçan, temë diskutimi Abazoviq-Hoxha

Jeton Musliu/RTKlive

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kosovës në këtë shtet, Ariana Zherka-Hoxha.

Kryeministri Abazoviq dhe ambasadorja Zhreka-Hoxha, u pajtuan se dy vendet trashëgojnë bashkëpunim jashtëzakonisht të drejtë dhe dinamik.

Në komunikatën zyrtare të kryeministrisë malazeze, shkruan se kjo  dëshmohet nga takimet e shumta me qëllim të konkretizimit të projekteve me interes të përbashkët, si ekonomia, trafiku dhe turizmi, raporton RTKlive.

“Në këtë kontekst, në takimin e sotëm, veçanërisht u theksua puna në ndërtimin e rrugës Plavë - Deçan dhe nënshkrimi i fundit i Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit për realizimin e projekteve infrastrukturore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës”, theksohet në komunikatën zyrtare, raporton RTKlive.

“Lidhur me këtë, kryeministri u informua se pritet një takim i ekipeve në nivel teknik, por edhe për projekte të tjera të shumta infrastrukturore që përveç lëvizjes më të madhe dhe lidhjes më të mirë të njerëzve, do të çojnë edhe në zhvillimin e turizmit në ato rajone”.

Gjithashtu, në këtë takim, kryeministri dhe ambasadorja e Kosovës, ranë dakord për realizimin e forumit të përbashkët të biznesit, i cili do të kontribuojë në zhvillimin dhe lidhjen edhe më të mirë të dy vendeve, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

 


MË SHUME NGA Lajme