PDK e AAK kundër Qeverisë për ulje pagash në sistemin e drejtësisë
Foto: RTKlive
Lajme

PDK e AAK kundër Qeverisë për ulje pagash në sistemin e drejtësisë

E.Hoti/RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe ai i PDK-së Abelard Tahiri, në deklarime të ndara, kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë.

 Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë me buxhetin, dhe ligjshmërinë, por sipas tij, është përpjekje e paramenduar e kryeministrit Albin Kurti për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se me uljen e pagave për prokurorët e gjyqtarët në fakt nuk është vetëm përpjekje, por edhe përndjekje, e cila nuk duhet të lejohet.

“Në së paku 10 vjetët e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një perspektivë ku organet e drejtësisë punojnë të pavarura, të pandikuara, të paanshme, që zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç e përcakton Kushtetuta, dhe që për punën e tyre marrin kompensim adekuat e meritor. Sot, kjo perspektivë u përmbys, nga kryeministri që po përmbysë çdo gjë të mirëfilltë, përballë mësymjes jo konvencionale me të cilën ai i është qasur qeverisjes”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato, madje jo vetëm për gjyqtarë e prokurorë, por për të gjithë sektorin publik.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë, ka reaguar edhe Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, i cili ka vlerësuar se vendimi për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë është antikushtetues.

 “Për pasojë, më nuk bëhet fjalë për vendim të Qeverisë Haradinaj, por për vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, apo me amandament kushtetues të përfaqësuesit të sovranit të Kosovës ", ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, Qeveria Kurti, me këtë vendim ka shfuqizuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka bërë thirrje që ky vendim të dërgohet në  Gjykatën Kushtetuese, nga ana e deputetëve dhe Avokatit të Popullit.

 


MË SHUME NGA Lajme