Miratohet vendimi i Qeverisë për regjistrimin e popullsisë |Video
Foto/ RTKlive
Lajme

Miratohet vendimi i Qeverisë për regjistrimin e popullsisë |Video

Afet Bela dhe Muharrem Miftari / RTKlive

(E plotësuar, ora 16:25)Miratohet nga Kuvendi propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Me 69 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Për votimin e këtij vendimi, kryeministri Kurti tha se ky ligj kontribuon në planifikimin më të mirë të politikave ekonomike kombëtare, si dhe rregullon, mes tjerash, shtrirjen territoriale të regjistrimit të  popullsisë.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga data 1 shtator deri më 16 tetor të vitit 2023.

(E plotësuar, ora 16:25) Dështoi zgjedhja e gjyqtarit të dytë për Gjykatën Kushtetuese

Edhe në rrethin e tretë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk i morën votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Kushtetuese.

Votat e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese janë 46.

Pas kësaj, Kuvendi vazhdon punimet me pikat tjera të rendit të ditës.

(E plotësuar, ora 15:50) Filloi seanca e Kuvendit të Kosovës

Pas dështimit të zgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, tani filloi  seanca e Kuvendit të Kosovës,në të cilën do të nisë procedura e votimit të kandidatëve për zgjedhjen për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kandidatët: Bardh Bokshi, Dukagjin Abdyli, Flamur Mrasori, do t'i nënshtrohen votimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

(E plotësuar, ora 14:20) Kuvendi i Kosovës shkon në pauzë

Në mungesë të votave të nevojshme për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ndërpreu punimet për të vazhduar në ora 15:30.

Edhe pas rrethit të dytë të votimit për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, asnjëri nga kandidatët e propozuar: Bardh Bokshi, Dukagjin Abdyli, Flamur Mrasori, nuk arritën të marrin votat e nevojshme, (54 vota).

(E plotësuar) Enver Peci zgjedhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

Enver Peci, me 66 vota për, u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës pas miratimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar me votimin  për dy kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kandidati i vetëm që arriti të zgjidhet me vota të nevojshme ka qenë Enver Peci, i cili, me 66 vota, u zgjodh gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Enver Peci ka qenë kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Tani Kuvendi është ende në procedurë të zgjedhjes së kandidatit tjetër për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, meqë kandidatët tjerë ende nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme.

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës plenare. Pas deklarimeve të rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është miratuar edhe një marrëveshje ndërkombëtare. Deputetët e Kuvendit tani janë duke votuar për dy kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kurti: Targat janë teknike, por pasojat janë më shumë se politike

(E plotësuar, ora 11:30) Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, sot para deputetëve në Kuvendit të Kosovës, ka folur për dakordimin e djeshëm në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përmes një marrëveshjeje  ligjërisht e obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështje e bisedimeve në Bruksel, drejt arritjes së dakordimit të shtetit tonë që është normal e demokratik”, tha ai.“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët që ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohej propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave të çështja e këtij propozimi, nuk duhet propozimi, por do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman. Ndërkaq, dokumenti i djeshëm ka pasur 194 fjalë, krejt i ndryshëm. Ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën u pranua të mërkurën, nuk po e dinë për çka po flasin. Ishte tekst më i madh ky i mbrëmshmi dhe nuk është marrëveshje, por dakordim. Është deklarata e Borrellit ajo që u bë mbrëmë, u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, ka shtuar Kurti.

Sipas tij, përherë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme, që do të jetë ligjërisht e obligueshme dhe që do t’i zgjidhë problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, targat janë teknike, por pasojat janë më shumë se politike.

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e mbrëmshme nuk është vetëm targa. “Ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit të evropian, që më herët i quanim propozim franko-gjerman, të hënën më është vërtetuar se propozimi është franko-gjerman”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës me 85 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, votoi projektligjin për marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar (të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore) dhe Ministrisë së Mbrojtjes në emër të Qeverisë së Kosovës, lidhur me atashimin e personelit të FSK-së në kompaninë Rollment të këmbësorisë në ishujt Falkland.

Muja fton opozitën për konsensus

Deputeti i VV-së, Armend Muja, sot në Kuvendin e Kosovës ka folur për dakordimin e arritur dje në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk duhet harruar se procesi do të jetë i vështirë dhe se nuk duhet harruar se Serbia është aktor i paparashikueshëm dhe i pandershëm në raport me Kosovën, për këtë kërkojmë mbështetje”, tha ai. Deputeti Muja ka ftuar opozitën për konsensus.

Krasniqi: PDK mirëpret dakordimin e arritur në Bruksel

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për dakordimin e djeshëm për të cilën tha se PDK-ja e mirëpret atë, ngaqë shmangi eskalimin potencial në veri të vendit, por ka kërkuar sqarime nga qeveria për atë se a do të kthehen serbët lokalë në institucione të Kosovës.  “Askush prej jush nuk po tregon a do të ketë normalitet, a do të kthehen një pjesë e tyre në administratë, nuk po i thoni as ju, as ndërmjetësit ndërkombëtarë e as pala tjera”, theksoi ai.

Zemaj kritikon qeverinë për qasjen ndaj dialogut

Deputeti LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar qeverinë për dialogun. ”Rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës, është bashkërendimi me partnerët strategjik të Kosovës, e veçmas me SHBA”, tha ai.

Haradinaj: Me marrëveshjen për tabelat është evituar rreziku

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se me marrëveshjen për tabelat është evituar rreziku. “Dje me marrëveshje nuk është zgjidhur situata në veri, sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i atyre vendeve të punës”, tha Haradinaj.

(E plotësuar, ora 10:50) Kuvendi i Kosovës ende nuk ka filluar punimet e seancës plenare.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se vonesa e fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ka të bëjë me një projektligj me rëndësi, i cili pritet të hyjë në rend të ditës, raporton RTKlive

“Jemi duke e prit një mbledhje të Komitetit të Komisionit për Mbrojtjes dhe Siguri, ata po e shqyrtojnë në projektligj të rëndësishëm i cili pritet të hy në  rend të ditës përmes plotësim ndryshimit të rendit të ditës. Pa e trajtuar komisioni ai nuk mund të hy në rend të ditës dhe kjo është arsyeja që po presim”, tha ai.

Mblidhet Kuvendi, në rend dite shqyrtimi i Projektligjit të Kodit Penal

Sot Kuvendi i Kosovës, më fillim në ora 10:00, do të mbajë seancën plenare. Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, pastaj me pyetjet parlamentare dhe do të përfundojë me propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kurse nga ora 14:00, Kuvendi do të vazhdojë seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seanca plenare, të datës 10 nëntor 2022, raporton RTKlive.

Kuvendi do të bëjë: shqyrtimin e parë të Projektligjit për Prokurorinë Speciale, shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal i Republikës së Kosovës, shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Po ashtu Kuvendi do të bëj shqyrtimin i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, shqyrtimin e Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021, shqyrtimin e Propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.09/99 datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave dhe shqyrtimin e ekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.

 


MË SHUME NGA Lajme