SHBA-ja mirëpret marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
FOTO/ Nga profili i Ned Price në Twitter
Lajme

SHBA-ja mirëpret marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

A.Bela / RTKlive

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t'u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

"Ne mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price.

Kurse këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se pati një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi Chollet në rrjetin social Twitter.

Edhe Ambasadori amerikan Jeffrey M. Hovenier, ka vlerësuarë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.


MË SHUME NGA Lajme