Rrugëtimi shqiptar për pavarësinë
Kulturë

Rrugëtimi shqiptar për pavarësinë

atsh

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi konferencën shkencore “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”, në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Kryetar i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi mbajti fjalën e hapjes dhe theksoi se Pavarësia është një proces dhe jo një datë.

“U shpall më 1912-n, u mbrojt e u konfirmua më 1920-n. Pavarësia u rikonfirmua me fitoren antifashiste; pa Pavarësinë do të ishte i paimagjinueshëm ndryshimi i pozitës së shqiptarëve në tri dekadat e fundme: çlirimi e pavarësimi i Kosovës, integrimi europian i shqiptarëve, roli i tyre në rajon”, -tha akademiku Gjinushi.

Akademiku Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në fjalën e tij përshëndetëse shkruan se çdo përvjetor i Pavarësisë së Shqipërisë, tek kosovarët dhe tek të tjerët shqiptarë gjithandej përreth, nxit emocione të veçanta, duke sjellë në kujtesë kohë të tjera, kur përvjetorët e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoheshin herë fshehurazi, herë me emocione të përziera, por gjithnjë me ndjenjë të fortë nderimi për të gjithë ata burra, të cilët e shpallën Shqipërinë më vete dhe vendosen në themelet e saj dashurinë për flamurin, për kombin dhe atdheun.

Akademiku Matteo Mandalà mbajti kumtesën për rolin që kanë luajtur arbëreshët gjatë gjithë shek. XIX për të sensibilizuar dhe informuar qarqet politike europiane mbi çështjen shqiptare, si dhe për të shtjelluar arsyet që i shtynin ata të mbronin kauzën e kombit shqiptar. Ky kontribut i tyre, që shtrihet përgjatë gjithë periudhës së romantizmit, përbëhet nga një sërë veprash politiko-letrare, studimesh historike e gjuhësore, e së fundi, nga një numër i konsiderueshëm gazetash dhe revistash.

Ndërsa akademikët Anastas Angjeli e Adrian Civici paraqitën “110 vjet ekonomi shqiptare: roli i saj në mëvetësimin, konsolidimin e shtetit shqiptar dhe bashkimit kombëtar”. Ata paraqitën faktorët kompleks ekonomik e politikë që hodhën themelet e një ekonomie të pavarur shqiptare. Me copëtimin e trojeve shqiptare të cilat tashmë kishin filluar të formonin në tërësi të vetme ekonomike, tregu i brendshëm kombëtar u copëtua. Ky copëtim i shkaktoi Shqipërisë një krizë të thellë ekonomike.

Instabiliteti politik i krijuar fillimisht nga ekzistenca e dy pushteteve alternative (i qeverisë së Vlorës dhe i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit), mos suksesi i administrimit të udhëhequr nga Princ Vidi, si dhe lufta e parë botërore ndikuan për ruajtjen e kësaj situate deri në fillim të viteve 20-të të shek. XX. Bazat e sistemit monetar e të kreditimit kombëtar që duhej t’i hapnin rrugën zhvillimit ekonomik të vendit në rrugën kapitaliste oksidentale u konkretizuan me krijimin e Bankës kombëtare shqiptare me kapitale austriake dhe italiane.


MË SHUME NGA Kulturë