"DokuFest" fton nxënësit të aplikojnë për kampin dimëror
Kulturë

"DokuFest" fton nxënësit të aplikojnë për kampin dimëror

Sh.Gashi / RTKlive

"DokuFest" ka ftuar të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kampit dimëror, si pjesë e shkollës së filmit dokumentar ku do të aftësohen për të xhiruar filma, duke ndjekur hapat e njëpasnjëshëm dhe duke pasur mjetet e nevojshme për realizimin e një filmi.

“Për dallim nga vitet e kaluara këtë vit kampi do të mbahet në formë hibride në datat 4-10 janar 2021, me aktivitete dhe ligjërata fizike dhe masterklasë virtuale nga profesionistë ndërkombëtarë të filmit”, thuhet në komunikatë.

Pos tjerash në komunikatë sqarohet se filmat e xhiruar do ta kenë premierën në edicionin e 20 të festivalit që do të mbahet me 6-14 gusht, 2021.

Aplikantët e interesuar duhet të jenë në shkollë të mesme dhe të kenë aftësi komunikimi në gjuhën Angleze.

Deri më tani tetë gjenerata të nxënësve të shkollave të mesme kanë kaluar nëpër shkollën e filmit dokumentar dhe që nga viti 2013 janë prodhuar mbi 40 filma të shkurtë dokumentarë që shpalosin tema të ndryshme personale dhe shoqërore.

Shkolla e filmit është pjesë e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar” që ka për qëllim promovimin e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut përmes filmit.


MË SHUME NGA Kulturë