Komisionari për gjuhët: Ligji nuk po zbatohet në tërësi në asnjë komunë
Foto: Zyra e Kryeministrit
Lajme

Komisionari për gjuhët: Ligji nuk po zbatohet në tërësi në asnjë komunë

Bardha Shkreli/Radio Kosovë

Ligji për gjuhët nuk zbatohet në tërësi në asnjë komunë të Kosovës. Mos ofrimi i shërbimeve apo dokumenteve në gjuhët e komuniteteve ndikon edhe në qasjen e tyre në shërbime publike. Kështu thotë komisionari për gjuhët pranë zyrës së kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Slavisa Mladenoviç. Në një intervistë për Radio Kosovën ai thotë se administrata dygjuhësore në vend lë shumë për të dëshiruar, por digjitalizimi mund ta ndihmojë stafin administrativ mjaft shumë.

Radio Kosova: Sa respektohet ligji për gjuhët në Kosovë?

Slavisa Mladenoviç: Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas Ligjit për Gjuhët, Kosova  ka dy gjuhë zyrtare. Në komuna të veçanta janë edhe gjuhët e tjera zyrtare, p.sh Komuna e Graçanicës apo Prizrenit me gjuhën rome. Ky ligj nuk respektohet në tërësi, nuk respektohet në tërësi besoj, edhe ju jeni në dijeni si qytetar që edhe gjuha shqipe nuk respektohet shpesh herë në disa komuna ose në disa institucione. Por, gjuhët e komuniteteve edhe më shpesh nuk respektohen nga institucionet qendrore. Mos respektimi i Ligjit për Gjuhët nuk është vetëm shkelje e së drejtës në gjuhë, shpesh herë është shkelje e disa të drejtave të tjera. Po ua jap disa shembuj: Mos ofrimi i dokumenteve në dy gjuhë në disa gjykata, ndikon në qasjen në gjyqësi, mos ofrimi i gjuhës gjatë punësimit e shkel të drejtën në punësim, mos ofrimi i gjuhës në ndihmë sociale ndikon ta zëmë në qasjen në pension ose në ndihmë sociale, d.m.th është një prej çështjeve horizontale që prek të gjitha fushat e tjera, prandaj kjo është arsyeja pse gjuha është një prej të drejtave themelore të njeriut.

Radio Kosova: Cila komunë qëndron më mirë në respektimin e dygjuhësisë ?

Slavisa Mladenoviç:  Janë disa komuna  ku situata është më se mirë se në disa të tjera. Në përgjithësi, në asnjë komunë nuk respektohet në tërësi ligji për gjuhët. Për momentin Komuna e Shtërpcës qëndron mirë , edhe postimet në rrjetet sociale i bënë në dy gjuhët zyrtare njëkohësisht. Por ka shkelje të shpeshta edhe në Gjilan edhe në Prishtinë edhe në komunat e tjera, në shërbime të ndryshme që ofrohen  në sportele. Prej komunave që qëndrojnë keq në këtë kuptim, janë edhe katër komunat veriore, ku nuk zbatohet gati fare dygjuhësia.

Radio Kosova: A mund të flitet në Kosovë për administratë dygjuhësore?

Slavisa Mladenoviç:  Administrata dygjuhësore është një çështjeve prej së cilës varet integrimi i mirëfilltë i qytetarëve, është një prej çështjeve prej së cilës vlerësohet vetë kualiteti i shtetit, pra, a kemi qeverisje të mirë apo nuk kemi qeverisje të mirë. Qeverisja e mirë në shumicën e rasteve varet edhe nga zbatimi i dygjuhësisë. Duhet të flasim për administratë dygjuhësore e cila tani për tani nuk është realitet për disa arsye. Një prej tyre është se ne për 30 vite nuk jemi duke krijuar stafin dygjuhësor . Shumica prej punëtorëve në administratë nuk kanë pasur rastin të mësojnë gjuhën tjetër zyrtare në sistemin arsimor,, pastaj edhe politikat e brendshme të buxhetimit e edhe politikat e punësimit nuk kanë qenë të favorshme për përzgjedhjen e punëtorëve në administratë, por janë edhe disa trendë pozitivë. Trend pozitiv konsideroj se është fakti i digjitalizimit. Shërbimet digjitale mundemi me kohë t’i përkthejmë dhe kjo e ndihmon edhe  punën në sportele.

Radio Kosova: A ka mjaftueshëm ekspertë/ përkthyes profesionalë, nëse jo, si kompensohet kjo mungesë?

Slavisa Mladenoviç:  Çdo ditë e më shumë jemi dëshmitarë të pensionimit të stafit profesional për përkthim. Këta që janë në treg (përkthyesit profesionalë) për  disa arsye nuk aplikojnë në administratë publike - një prej tyre është kompensimi i ulët,  pastaj kërkesa për ta është shumë e madhe dhe të njëjtit përfitojnë më shumë në tregun e lirë të përkthimeve. E dyta është “ kushtet për punësim” , edhe pse jemi të vetëdijshëm që për 30 vite nuk kemi krijuar staf të mjaftueshëm për përkthyes për gjuhët zyrtare, ne sërish në konkurse kërkojmë kualifikime akademike. Duhet të jemi më fleksibil brenda administratës, brenda qeverisë . P.Sh: për përkthimet brenda Ministrisë së Shëndetësisë ne mund të punësojmë një mjek si përkthyes, sepse është profesionit i gjuhës mjekësore, në Ministrinë e Drejtësisë mund të punësojmë disa juristë si profesionistë të fushës, por ne vazhdimisht kërkojmë linguistë dhe mendoj që kjo është gabim. 

Radio Kosova: Dega e Ballkanistikës, e cila është hapur në Universitetin e Prishtinës, a mund ta zbusë këtë situatë?

Slavisa Mladenoviç:  Po, por kapaciteti i degës është i kufizuar. Deri më tani me sa di janë pranuar 10 apo 15 studentë në vitin e parë në Degën e Ballkanistikës. Por Qendra e Gjuhës që është brenda Fakultetit të Filologjisë, do të ishte si mjet i mirë për certifikimin e atyre që flasin dy gjuhët e që s’kanë diplomë të gjuhës por të fakulteteve të tjera, dhe kjo, besoj, që është zgjidhje e mirë për të cilën po punojmë bashkë me Fakultetin e Filologjisë.

Radio Kosova: Pse ka ngecje të strategjisë për dy gjuhësi?

Slavisa Mladenoviç:  Strategjinë e kemi përpiluar gjatë vitit 2015-të. E njëjta është dashur të miratohet në vitin 2016-të. Strategjia nuk është miratuar kurrë dhe ne kemi mbetur vetëm në planin strategjik të zyrës, mirëpo shumicën e strategjisë ne e kemi zbatuar me ndihmën e donatorëve. Shumicën e planeve pra ne i kemi zbatuar. Por, besoj se me formimin e njësisë për përkthime brenda zyrës së kryeministrit, do t’i përfundojmë pothuajse të gjitha elementet e strategjisë. Por, do të ishte mirë që të kishte një aprovim dhe të përcjellim si mesazh politik që dy gjuhësia është e mirë se ardhur në Kosovë.

Radio Kosova: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet në Kosovë për sa i përket gjuhës?

Slavisa Mladenoviç:  Shpesh herë marrim ankesa për komunikimin me policë, sepse kemi gjeneratën e re të policëve të cilët nuk kanë pasur mundësi të mësojnë gjuhën në nivel arsimor. Por kemi tentuar të adresojmë këtë çështje edhe në nivel të Akademisë Policore, kemi zhvilluar edhe aplikacione por edhe disa doracakë për policë për çështje më të shpeshta që ndodhin në trafik. Dhe, kemi përpiluar edhe tekste për trajnim për shkollën policore por ende gjuha e komunitetit apo gjuha e rrethanës, kur po them gjuha e rrethanës në asnjë rast nuk po them që gjuha serbe, për serbët – është gjuha shqipe – gjuhë e rrethanës, dhe anasjelltas. Por gjuha e rrethanës nuk është gjuhë e obligueshme në shkollën policore por vetëm zgjedhore, prandaj ka mbetur ky drafti i pashfrytëzuar.

Radio Kosova: A jeni në dijeni se a janë të gatshëm të rinjtë e Kosovës të mësojnë gjuhën e rrethanës?

Slavisa Mladenoviç:  Opinioni publik krijohet edhe nga media edhe nga shkolla. Pastaj, opinioni publik ndikon në mendimin e të rinjve. Për qasjen e të rinjve në mësimin e gjuhëve zyrtare, duhet një strategji e veçantë. Derisa ne nuk dërgojmë porosinë që është mirë të mësojmë gjuhën e rrethanës edhe ata mund të mos e kuptojnë. Por ju mund ta keni gabim! Të gjitha analizat që kemi bërë po tregojnë se të rinjtë janë gati për të mësuar gjuhën tjetër zyrtare, shumica nuk kanë paragjykime për gjuhën tjetër. Kjo është interesant, analizat tregojnë se nxënësit  në shkollën fillore janë të gatshëm, pastaj kjo bie në shkollën e mesme, pra deri në moshën 18 vjeçare. Pastaj kur regjistrohen në fakultet kjo rritet sërish, sepse e përcakton nevoja, pra ju nevojitet literaturë që nuk e kanë në gjuhën amtare ose shpesh herë takojnë fqinjë të komunitetit tjetër dhe ju nevojitet komunikimi prandaj e kuptojnë sërish rëndësinë  e mësimit të  gjuhës.  Kështu që media dhe sistemi duhet të bëjnë diçka më shumë dhe të shohim pse refuzohet mësimi i gjuhës së rrethanës nga mosha 10 deri në 18 vjeç. Por ne së bashku me disa donatorë kemi mbështetur zhvillimin e një aplikacioni VOKAP për mësimin e gjuhës online. Besoj do t’ju befasojë fakti që këtë aplikacion e shfrytëzojnë 70 mijë qytetarë. I njëjti projekt –kur janë shpallur kurse fizike, vetëm në Komunën e Prishtinës nga 900 deri në 1000 persona kanë kërkuar mundësinë për të mësuar gjuhën serbe, kurse në komunat e tjera shumë njerëz kanë kërkuar të mësojnë gjuhën shqipe.

Radio Kosova: Cila do të ishte porosia që mund ta përcjellim për të gjithë ata qytetarë që hamendësohen nëse duhet mësuar gjuha e rrethanës?

Slavisa Mladenoviç:  Mesazhi është që një shoqëri dy gjuhësore është një shoqëri gjithëpërfshirëse. Shumë probleme do të tejkaloheshin më lehtë duke komunikuar ndërmjet veti në gjuhët vendore dhe jo në gjuhën angleze. Besoj se dygjuhësia është një mjet i mirë për integrimin e administratës publike rrjedhimisht shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme