Sonte mbahet edicioni i 50-të i festivalit “Kosovarja Këndon”
Foto:
Kulturë

Sonte mbahet edicioni i 50-të i festivalit “Kosovarja Këndon”

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Ky festival i këngës popullore shqipe, që nisi të mbahet gjysmë shekulli më parë, e ku morën pjesë me qindra gra e vajza shqiptare, fillon nga ora 18:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

18 kosovare do të këndojnë këtë vit në edicionin e 50-të të festivalit të muzikës popullore “Kosovarja Këndon”. Njëra nga to është edhe gjilanasja Lumturije Shabani, që në festivalin me traditë, po merr pjesë për herë të parë, dhe do këndojë një këngë shkodrane.

 “Arsyeja që më ka shtyrë të marr pjesë është fakti se ky festival është i këngës popullore, gjë që në Kosovë nuk mbahen, ose mbahen shumë pak festivale të tilla”, thotë Lumturije Shabani për Radio Kosovën.

“Një arsye tjetër është edhe fakti që këtu marrin pjesë të gjitha gra e vajza. Këtu do të këndoj një këngë shkodrane, e cila është ‘Marshalla i bukurisë tande”.

Astrit Mustafa, drejtori i festivalit “Kosovarja Këndon”, i cili nisi të mbahet gjysmë shekulli më parë në Ferizaj, me qëllim emancipimin e gruas shqiptare, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për siç thotë, festën që fillon nga ora 18:00 në Teatrin “Adriana”. Ai tutje tregon për Radio Kosovën për synimet e tanishme të festivalit.

 “Festivali viteve të fundit kujdeset që të ruajë traditën – traditën e interpretimit të këngës së mirëfilltë shqiptare,prej interpretimit burimor e deri te interpretimi i përpunuar, në nivel të muzikës botërore, mirëpo, gjithmonë me motive popullore”, thotë Astrit Mustafa.

“Ne kemi ardhje shumë të bukura operistike të cilat kanë dalë nga muzika burimore shqipe”.

Përveç çmimit të parë, të dytë dhe të tretë, pjesëmarrëset mund të fitojnë edhe çmimin special “Nexhmije Pagarusha”, tregon Mustafa, i cili thotë se bilbili i këngës shqipe, në vitin 2018, edhe kishte kënduar në skenën e Festivalit “Kosovarja Këndon”, i cili prej vitesh mbahet në vigjilje të 28 Nëntorit – Festës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.


MË SHUME NGA Kulturë