EBU letër Konjufcës dhe Kurtit, u kërkon rritjen e buxhetit për RTK-në
Në Fokus

EBU letër Konjufcës dhe Kurtit, u kërkon rritjen e buxhetit për RTK-në

RTKlive

Duke konstatuar se buxheti i ndarë për RTK-në nga ana e Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e Transmetuesit Publik, Drejtori i Përgjithshëm i Unionit të Transmetuesve Publik Evropian (EBU), Noel Curran, u ka dërguar nga një letër, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pasi rikujton se me 8.9 milionë euro buxhet vjetor për RTK-në janë të pamjaftueshme për funksionimin si edhe realizimin e detyrave, sipas ligjit për Transmetuesin publik, Curran i kërkon kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe Kryeministrit Kurti, rritjen e buxhetit.

Duke dhënë edhe shifra konkrete, Curran deklaron se buxheti aktual i RTK-së është më i ulti, nëse krahasohet me Transmetuesit Publik  të vendeve në rajon.

Ai gjithashtu thekson faktin se RTK-ja ka hyrë në procese të guximshme reformuese nën menaxhmentin e ri dhe me mbështetjen e Bordit .

Duke iu drejtuar Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit, në emër të EBU-së, Curran u kërkon atyre të ndikojë që Kuvendi i Kosovës, të mbështesë financimin adekuat të RTK-së, që do t'i mundësonte Transmetuesit Publik të përmbushë misionin e tij në shoqëri.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës  votoi  në parim projekt buxhetin për vitin 2023 në vlerë 3.2 miliardë euro.

Në këtë ndarje buxhetore, Transmetuesit Publik i janë ndarë 8.96 milionë euro, apo 2.2 milionë më pak sesa buxheti i vitit 2021e që është ndër më të ultit në dhjetë vitet e fundit.

Më poshtë sjellim letrat (e njëjta) e Noel Curran, Drejtor Gjeneral i EBU-së, drejtuar  kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministrit Albin Kurti.

Financimi i RTK-së

I nderuar kryeministër,

Në emër të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), aleancës kryesore profesionale të mediave të shërbimit publik, ju shkruaj për të kërkuar mbështetjen tuaj në sigurimin e financimit të duhur për Transmetuesin Publik të Kosovës, RTK.

Siç e dini, RTK-ja ka hyrë në procese të guximshme reformuese nën menaxhmentin e ri dhe me mbështetjen e Bordit . Po kryen reforma strukturore gjithëpërfshirëse dhe organizative për transformim dixhital dhe për të siguruar efikasitet që përfshinë mosvazhdimin e kontratave për rreth 25% të stafit të saj. Transmetuesi Publik luan një rol vendimtar në luftën kundër dezinformimit në këtë gjendje të ngarkuar politike dhe të ndjeshme, duke ofruar informacione kredibile e të besueshme për qytetarët dhe  duke promovuar  dialogun e mirëkuptimin.

Misioni i RTK-së për të informuar, edukuar dhe argëtuar të gjitha segmentet e shoqërisë në mënyrën më të lartë të mundshme profesionale, kërkon  financim të përshtatshëm, për të mundësuar marrjen e të drejtave sportive, vënien në punë të prodhimeve të pavarura, prodhimin e programeve të cilësisë së lartë, shfaqjeve, dramave, dokumentarëve, programeve për fëmijë, programeve për minoritetet dhe personat me aftësi të kufizuara ashtu si edhe kanali i dytë, në gjuhën  serbe.

RTK-ja ka nevojë për financim të duhur për të përmbushur këtë rol të rëndësishëm në shoqëri.Sipas nenit 21 paragrafi 4 të Ligjit për RTK-në, Transmetuesi Publik duhet të marrë 0.7% nga buxheti vjetor, i cili është rreth 16 milionë euro. Aktualisht Transmetuesi Publik është i detyruar të operojë me vetëm 8.9 milionë euro, të cilat deri tani nuk janë të mjaftueshme për funksionimin e denjë të një institucioni demokratik.

Raporti i Inteligjencës Mediatike të EBU-së mbi financimin e mediave të shërbimit publik, nga marsi 2022 paraqet se financimi mesatar për këto media për kokë banori në Evropë është 45 euro. Financimi i Transmetuesve Publik  në Kosovë është 4.73 euro për kokë banori, që është dhjetë herë më pak se mesatarja në Evropë dhe pesë herë më pak se financimi i këtyre mediave për kokë banori në Mal të Zi (24.08 euro), më pak se në Shqipëri (6.77 euro) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (6.42 euro).

Rekomandimi i Këshillit të Evropës CM/Rec (2012)1 mbi  qeverisjen e mediave të shërbimit publik kërkon që shtetet të sigurojnë financimin e duhur dhe të sigurt të Mediave Publike. Buxheti aktual i RTK-së rrezikon seriozisht funksionimin e RTK-së, institucion ky që është i rëndësishëm për shoqërinë dhe demokracinë. Shpresoj që Kuvendi i Kosovës nën udhëheqjen tuaj do të mbështesë financimin adekuat të RTK-së dhe do t'i mundësojë Transmetuesit Publik të përmbushë misionin e tij në shoqëri.

Kjo për më tepër do të jetë një hap i guximshëm përpara në negociata të Kosovës për anëtarësim në BE.

Noel Curran

Drejtor Gjeneral

 


MË SHUME NGA Në Fokus