Përurohet libri i Leonora Laçit për familjen e Skënder Imer Thaçit
Kulturë

Përurohet libri i Leonora Laçit për familjen e Skënder Imer Thaçit

Hyrë Tejeci Murati/ Radio Kosova

Në Rijekë të Kroacisë është përuruar libri “Skënder Imer Thaçi - mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi”. Ky libër i autores Leonora Laçi sjell një histori, një rrëfim, një përjetim të familjes së Imer Thaçit, e ndodhur në një trekëndësh mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.

Fati i familjes së Imer Thaçit është i vendosur në një trekëndësh. Në periudha të rënda, në luftëra e në përpjekje për mirëqenie të shqiptarëve, familja e Imer Thaçit sakrifikohet me humbje jete, për të treguar se populli shqiptar dhe viset ku ai shtrihej duhej të jetonte ndryshe si gjithë popujt e lirë.

Historia e kësaj familjeje është shkruar në librin me titull “Skënder Imer Thaçi – mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi” i autores Leonora Laçi. Një histori në mes të babës dhe të birit, të cilët luftojnë për çështje të lirisë e demokracisë, njëri kundër komunistëve shqiptarë e sllavë, tjetri një luftë për lirinë dhe demokracinë edhe sot e kësaj dite.

Babai nga Puka, nëna e Vuthajve të Plavës dhe Gusisë e djali nga Kosova. Ky është trekëndëshi i kësaj familjeje.

Libri me këtë histori u përurua në Rijekë të Kroacisë dhe pjesëmarrësit në këtë përurim lartësuan figurat, protagonistë në libër, duke porositur që historia të mos harrohet asnjëherë.

Genc Muçaj, drejtor i përgjithshëm i Bordit Ambasadorëve të Shqipërisë, thotë se historia nuk bën të harrohet, sepse ajo rrezikon të përsëritet.

“Kemi mësuar që nëse ne harrojmë, historia rrezikon të përsëritet. Ҫfarë thotë Skender Thaçi në librin e tij?! Sot mesazhet e atdhedashurisë e moralit, përkushtimit në punë, integritetit, ndershmërisë, në një farë mënyre kanë filluar të veniten, sepse globalizmi bën rolin dhe ka punën e tij, por autori nuk na lejon të harrojmë dhe të flemë mbi dafina. Ai thotë se duhet kujtuar historia, me të mirat dhe të këqijat e veta”, tha Muçaj.

Flamur Gashi, anëtar i Bordit Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë, paraqiti një recension për librin, i cili, sipas tij, ngërthen lëvizje në disa kohë për familjen e Skënder Imer Thaçit.

“Ky libër i ndarë në gjashtë kapituj fillon me përshkrimin historik të familjes së Imer Thaçit. Organizimin e tij, veprimtarinë e tij politike, luftën e tij për mbrojtjen e trojeve shqiptare, punën e pakursyer për ndërtimin e institucioneve shtetërore të monarkisë së atëhershme. Pastaj mbrojtjen e monarkisë shqiptare nga pushtimi, angazhimi i tij në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare, konfrontimi dhe ballafaqimi me komunizmin në Shqipëri, arrestimi i tij në Shqipëri, burgu në Shqipëri, bashkëpunimi me personalitete më të larta të kohës në Shqipëri, për të përmbyllur këtë lëvizje të tij me arratisjen e tij në Jugosllavi”, tha Gashi.

Ai tha se Skënderi kishte vetëm dy vjet kur po vuante burgun me nënën dhe disa anëtarë të tjerë të familjes.

“Është pak e rëndë të thuhet, por ky burri këtu për të cilin është shkruar libri, deri sot me vëllanë e tij, Nderimin, llogariten se janë dy të burgosurit më të rinj që i ka pasur Evropa. Kanë qenë në burg që në moshën dyvjeçare. Dhe këtë kohë është pushkatuar babai i tij, Ymer Thaçi, e për t’u rënduar më shumë kjo tragjedi, eshtrat nuk i janë gjetur as sot e kësaj dite këtij patriotit shqiptar”, shtoi Gashi.

Ahmet Ulaj, familjar i Skënder Thaçit, tha se histori të tilla kanë përjetuar shumë shqiptarë, por në këtë libër ai tha se janë gërshetuar mirë ato përjetime. “Është një histori që këtu flitet për Skenderin, por është përfaqësues i një historie të mijëra shqiptarëve në të gjitha trojet e veta, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Është një histori shumë e përsëritur dhe shumë e njohur. Por, kapja e një historie tipike që është në katër breza, luftë e përpjekje kundër krajlisë, kundër fashizmit, kundër komunizmit, sot kundër të këqijave të tjera që janë korrupsioni e shumë gjëra të tjera që ne i kemi në mesin tonë, do të thotë të sanksionuara dhe të mbledhura në një libër, është një shembull shumë i mirë reference për të cilat kemi nevojë”, tha Ulaj.

Riza Boda, ambasador i Shqipërisë në Zagreb, e konsideroi librin botim me shumë vlera dhe dëshmi e historisë ndër shqiptarë.

 “Librin ‘Skender Thaçi – mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi’ do ta konsideroja një vepër me shumë vlera dhe pa diskutim një kontribut i çmuar dhe një dëshmi e historisë së marrëdhënieve ndër shqiptarë. Një punë intelektuale e mirëfilltë, mbasi tema që trajton është shumë e vështirë dhe ky botim del si një vepër e veçantë në një kohë të veçantë. Mbasi e dimë që në të tria vendet ka pasur zhvillime të vrullshme, si në Kosovë, në Malin e Zi dhe në Shqipëri”, tha Boda.

Edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, tha se monografi të tilla autentike janë shumë të rëndësishme për dëshmitë e kohës. “Monografi të tilla janë dëshmi autentike për një periudhë kohore, në veçanti për atë periudhën që e ka definuar çështjen e asaj hapësire etnike shqiptare, e cila kurrë nuk e ka pranuar kufirin si ndarje, por e ka pranuar lidhjen e gjakut si të tillë. Jam krenar që një libër i tillë sot prezantohet në Rijekë, në vazhdën e Javës së Kulturës Shqiptare në Kroaci”, tha ambasador Berisha.

Edhe Ermina Lekaj Përlaskaj deputete në Parlamentin e Kroacisë, tha se librit i shtohet vlera, sepse përurohet në ditët e shënuara për shqiptarët edhe në Kroaci. “Është nder që në qytetin e Rijekës të bëni një prezantim të një libri të tillë, ky është një nder i madh për komunitetin tonë shqiptar që jeton dhe vepron në Kroaci. Njëherit dëshiroj që të uroj Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit të Shqipërisë, rrënoftë Shqipëria përjetësisht dhe gëzuar këtë ditë madhështore”, uroj Përlaskaj.

Kryetari i bashkisë së Rijekës, Marko Filipoviç, e vlerësoi aktivitetet për shënimin e ditëve të kulturës shqiptare që po mbahen në Kroaci, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm përfshirjen e përurimit të librit në kuadër të tyre.  “Sa iu përket ditëve të kulturës shqiptare, ato edhe këtë vit janë shumë të pasura me të vërtetë bashkia dhe këshillat janë duke u kujdesur që të jenë sa më të përmbushura këto takime. Në kuadër të këtyre takimeve vjen edhe një pjesë e kulturës shqiptare nga vendet e tyre të origjinës, siç përshkruhet edhe në këtë libër, nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi”, tha Filipoviç.

Ndërkaq, Skënder Thaçi – protagonist i këtij libri tregoi për trungun e tij familjar që në libër përshkruhet me shumë detaje dhe me histori rrëqethëse.

“Nuk është rastësi këtu që është vendosur mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, sepse Shqipëria është trungu im, baba im që është pukian, nana ime është Mali i Zi që është vuthjane, Kosova më ka rritë këtë shtat dhe këtë trup. Kur më pyesin kah je, iu them ‘prit duhet të mendoj, por unë jam prej atij vendi që çdo lum e ka burimin e vet dhe kudo të përfundojë është diçka tjetër, por burimi i lumit tim, gjenezës time, gjakut tim, është Puka, është Shqipëria. Nder dhe respekt për Shqipërinë, për trojet shqiptare”, tha Skënder Thaçi.

Ngjarja e familjes së Imer Thaçit nga Puka është një dramë, siç edhe paraqitet në libër. Libri u konsiderua edhe si një përmbajtje që rritë moralin njerëzor në mes shqiptarëve dhe një ngjarje që do t’i shërbejë historisë shqiptare.


MË SHUME NGA Kulturë