Ministrja Haxhiu kërkon burg të përjetshëm për vrasësin e shtatzënës
BKT
Lajme

Ministrja Haxhiu kërkon burg të përjetshëm për vrasësin e shtatzënës

E.Hoti-F. Sertolli/RTKlive

( E plotësuar) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar që organet e drejtësisë të jenë të pamëshirshme ndaj dorasit të vrasjes së gruas shtatzënë në afërsi të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Ministrja ka kërkuar që vrasësi të marrë dënimin me burg të përjetshëm.

“Kjo vrasje e rëndë dhe e dyfishtë na bën të reflektojmë dhe të mendojmë si shoqëri se lufta me femicidin është e vështirë por assesi e pamundshme. Rastet si ky i sotmi, na bëjnë që të punojmë edhe më fortë dhe më fuqishëm, jo vetëm ne si institucione të Republikës, por rol të madh këtu ka edhe gjithë shoqëria. I shprehim ngushëllime familjes së gruas së vrarë dhe urojmë që krimineli të marrë dënimin më të rëndë që parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës - dënim me burg të përjetshëm”, ka theksuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë adresimit të saj në një aktivitet në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore’’.

Ndërkaq, në një postim në Facebook, ministrja Haxhiu ka thënë se të enjten në orën 08:30, do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.

“Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.  Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave”, ka shkruar Haxhiu.

Osmani: Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund

 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë.

Pas vrasjes së gruas shtatzënë tek QKUK-ja, Osmani ka shkruar se sonte të gjithë 'vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë'.

“Një tjetër krim makabër e çnjerëzor.  Një tjetër "burrë" që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë”, ka shkruar presidentja në reagimin e saj.

Ajo po ashtu ka thënë se sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë.

“Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”, ka shkruar e para e vendit.

“Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI”, ka përfunduar reagimin e saj presidentja Vjosa Osmani.

Konjufca, thirrje institucioneve të rendit të bëjnë çmos që ta kapin vrasësin

Pas vrasjes makabre të gruas 35-vjeçare, në oborrin e QKUK-së, e cila ishte në ditët e fundit të shtatzënisë, duke pritur për ta sjellë në jetë fëmijën e saj, ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj. Në momente të tilla, nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secilin prej nesh ndien”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka thënë se ngjarjet si këto në javën e fundit, pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror.

“Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë. Iu bëj thirrje institucioneve të rendit të bëjnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar. Bashkëndiej me familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konufca.

Kurti reagon pas vrasjes së shtatzënës: Dy engjëj në qiellin e pistë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Prishtinë. Ai e ka vlerësuar këtë si vrasje mizore.

“Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor.  Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjën e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Krasniqi: Organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit

Tragjike, mizore, çnjerëzore! Këto kanë qenë fjalët e para të kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në reagimin e tij pas rastit të sotëm që ndodhi në Prishtinë, ku një grua shtatzënë 35-vjeçare dyshohet se u qëllua me armë zjarri për vdekje nga burri i saj.

“Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre. Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit. E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!”, ka theksuar Krasniqi.

Abdixhiku: Duhet një veprim kombëtar për  luftimin e dhunës ndaj gruas

Për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ka  reaguar edhe  kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.  Ai deklaroi se mision parësor duhet të jetë luftimi i dukurisë së dhunës ndaj grave.

“Ende pa u bërë një javë nga vrasja e arsimtares së gjeografisë nga burri i saj në Prishtinë, një ngjarje tjetër trishtuese godet shoqërinë tonë. Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë .Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje”, ka shkruar ai.

Tutje Abdixhiku ka deklaruar se si pjesë e spektrit politik, ndjejnë obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë.

“Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot. Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë; dhe ne nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër”, ka shtuar kreu i LDK-së. 

Sipas tij, duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë.

”Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe”, ka nënvizuar ai.

Abdixhiku ka ftuar organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të sotëm.

Haradinaj: Vrasja në QKUK, kundërshton traditën tonë dhe logjikën njerëzore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me rastin e sotëm të vrasjes së një gruaje shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore.

“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se përveç punës së organeve të rendit dhe ligjit, duhet edhe mobilizimi ynë si shoqëri.

“Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme