Opozitarët kërkojnë dorëheqje morale për vrasjen e shtatzënës në QKUK
Venera Xhoxhaj-Adili/RTK
Vrasje e mbrëmshme e gruas shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë në QKUK, ka nxitur reagime edhe nga ligjvënësit opozitarë që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. Ata kërkuan dorëheqje morale, pasi që vrasja, sipas tyre ka ndodhur brenda institucionit publik të QKUK-së.
Armend Zemaj i LDK-së dhe Bekim Haxhiu i PDK-së i janë drejtuar u.d. të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha dhe u.d. të drejtoreshës së ShSKUKsë, Pranvera Zejnullahu me kërkesën për dorëheqje morale.
Gexha e Zejnullahu po marrin pjesë në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili në rend dite ka shqyrtimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2023.
Gexha e Zejnullahu kanë paraqitur planifikimet për investime, sipas buxhetit që këtë vit, është për 15 % më i lartë.
Gexha tha se ky buxhet është bërë duke u bazuar në studimin e fizibilitetit dhe strategjisë për resurse humane. "Ky buxhet parasheh përmirësimin e shërbimeve aktuale dhe hapjen e shërbimeve të reja. Do të ketë investime në infrastrukturë, rritje të numrit të inspektorëve", deklaroi mes tjerash Gexha.
Ndërsa Pranvera Zejnullahu U.D. e drejtorit të SHSKUK-së ka thënë se do të vazhdohen disa projekte për avancimin e shërbimeve jo vetëm në QKUK, por edhe në spitalet rajonale.
"Në vitin 2023 do të jenë 5 rezonanca në gjithë vendin por problemi është edhe te stafi. Jemi në diskutime edhe për mundësinë e shërbimeve onkologjike në komuna, por shërbimet e decentralizuara do të bëhen varësisht nga stafi", ka thënë Zejnullahu.
Deputetët, anëtarë të komisionit kanë theksuar problemet me të cilat ballafaqohet ky sektorë. Theks të veçantë i është dhënë ikjes së mjekëve, mungesës së barnave dhe investimeve të tjera nga të cilat preken direkt qytetarët. Buxheti për shëndetësi për vitin 2023 është 296 milion euro.

Gexha dhe Zejnullahu nuk pranojnë të flasin për dorëheqjen
Ushtruesja e Detyrës së Ministres së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku nuk ka pranuar të flasë kur është pyetur për dorëheqjen morale që i kanë kërkuar deputetët e opozitës. Shkurt tha se tash po flasim për buxhetin ani se takimi i komisionit parlamentar për shëndetësi kishte përfunduar.
Ndërsa Ushtruesja e Detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së , Pranvera Zejnullahu nuk ka pranuar fare të flasë përkundër insistimit të gazetarëve.























