Abdixhiku i reagon Kurtit pas postimeve të tij për vrasjen
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas postimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në rrjete sociale, rreth vrasjes së gruas 35-vjeçare në QKUK.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku ka thënë se Kurti po flet si analist e si opozitar, madje siç thotë ai, Kurti ende nuk e ka kuptuar që është udhëheqës i shtetit.
“Kryeministri na flet si analist e si opozitar. Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit. Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, ka shkruar Abdixhiku.
“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”.
Abdixhikiu shkruan se nëse Kurti do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë.
“Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim. Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro. Për atë punë je aty”, shkruan Abdixhiku.























