Analistët: Kosova ka shumë gjasa që në vitin 2023 të anëtarësohet në KiE
Kosovare Gashi / Radio Kosova
Kosova i ka gjasat e mëdha që vitin e ardhshëm të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, në të cilin ka aplikuar në maj të këtij viti. Njohës të integrimeve evropiane e vlerësojnë moment të duhur anëtarësimin pasi Rusia nuk është më anëtare e kësaj organizate.
Vitin e ardhshëm, Kosova i ka gjasat e mëdha që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Kështu vlerësojnë njohës të integrimeve evropiane. Profesori universitar, Dritëro Arifi për Radio Kosovën ka thënë se tashmë kur edhe Rusia zyrtarisht nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës, Kosova ka gjasa të mëdha që të anëtarësohet shpejt, deri sa tregoi procedurat e votimit.
“Tani pritet të kalojë në nivelin e Komitetit ministror, nëse aty kalon, atëherë shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku duhet të marrë dy të tretat e votave, po ashtu edhe të komiteti i ministrave duhet t‘i ketë dy të tretat. Besoj që Kosova i ka votat, tani edhe është momentumi i duhur politik për anëtarësimin e Kosovës pasi Rusia nuk është anëtare e Këshillit të Evropës”, theksoi Arifi.
Njohësi i integrime evropiane, Shqipërim Pula, vlerëson se Kosova duhet të lobojë më shumë, sidomos te shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që t’i bindin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ajo çka varët nga ne për anëtarësimin më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës, është që me ngulm dhe pa ndalur duhet të lobojmë te shtetet anëtarë, specifikisht tek ato shtete të cilat mund të kenë dilema për shtetësinë e Kosovës”, deklaroi Pula.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës dhe ka 45 anëtarë. Kosova në maj të këtij viti, ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.























