Osmani: Rusia vazhdon ta ketë qëllim destabilizimin e Ballkanit
BKT
Foto/ Arton Mulliqi/ RTK
Lajme

Osmani: Rusia vazhdon ta ketë qëllim destabilizimin e Ballkanit

Arton Mulliqi/ RTK/ Sofje

Ditën e dytë të vizitës në Bullgari, presidentja Vjosa Osmani e nisi në Universitetin e Sofjes ku me një ceremoni zyrtare në Aula të Rektoratit të Universitetit u nderua me Distinktivin e Nderit të Universitetit të Sofjes, çmimi më i lartë akademik që jep ky universitet.

Para diplomatëve të akredituar në kryeqytetin bullgar, profesorëve e studentëve të shumtë, Osmani tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian dhe NATO, do të ishte shtyllë e paqes dhe stabilitetit për të gjithë kontinentin tonë.

“Për shekuj me radhë, ka qenë në interesin e Rusisë të sigurohen që të kenë sukses në përhapjen e ndikimit të tyre keqdashës në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, duke përdorur një nga vendet e rajonit tonë si përfaqësim, si ndërlidhës”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se arkitektura e sigurisë në Evropë dhe më gjerë është e kërcënuar tashme për shkak të luftës në Ukrainë dhe se interesi gjeostrategjik i BE-së dhe NATO-s është që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e këtyre dy aleancave.

“Ky interes rus vazhdon edhe tani, jo se janë të interesuar konkretisht për Kosovën, por sepse besojnë se duke sulmuar atë që është arritur në Kosovë, duke sulmuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, po sulmojnë vlerat dhe sistemet mbi të cilat bazohen BE dhe NATO. Këto janë sulme ndaj BE-së dhe NATO-s, sepse ata e dinë, sikurse ne, se Ballkani Perëndimor i destabilizuar do të thotë një Evropë e destabilizuar”, tha ajo, raporton RTKlive.

E para e shtetit të Kosovës sot ka qëndruar edhe në Komunën e Sofjes ku është takuar edhe kryetaren e kryeqytetit të Bullgarisë, Yordanka Fandakova.

Me këtë rast presidentja Osmani ka pranuar edhe çelësin e qytetit të Sofjes, një nderim ky që u bëhet personaliteteve të veçanta nga kryeqendra bullgare.

Vizitën në Sofje, Osmani e ka përfunduar me një takim me diasporën shqiptare, në ambasadën e Kosovës në Bullgari, me ç’rast ishte hapur edhe një ekspozitë me pikturat e artistes nga Kosova, Fjolla Ferati.


MË SHUME NGA Lajme