Vrasja e shtatzënës, Kurti kërkon dorëheqjen e përgjegjësve
BKT
Lajme

Vrasja e shtatzënës, Kurti kërkon dorëheqjen e përgjegjësve

N.Mekolli /RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, pas protestës së grave para ndërtesës së Qeverisë në shenjë revolte për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, ka thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Ai, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur duke kërkuar njëherësh për, siç ka thënë ai,  ‘zinxhirin që duhet (dorë)hequr’.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kërkuar që i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë të japë dorëheqje.


MË SHUME NGA Lajme