Mungesa e drejtësisë|Video
BKT
Lajme

Mungesa e drejtësisë|Video

Donika Sherifi /RTK

Vrasja e Hamide Magashit është e fundit ndër dhjetëra të tjera që tronditën vendin ndër vite. Shumica prej tyre ishin raste që kishin denoncuar më herët dhunën, por të cilat nuk i shpëtuan kësaj dhune deri në vrasje. E ngjarja e mbrëmshme ua riktheu në kujtesë familjeve të viktimave të mëhershme, kohën kur jeta e familjarëve të tyre u mor në forma të ndryshme mizore, për shumicën e të cilave ende nuk ka drejtësi.

Përjetimet e 11 viteve më parë iu rikthyen mbrëmë. Gëzim Kastrati tash e 11 vjet kërkon drejtësi për vajzën e tij Diana Kastrati e cila u vra nga burri i saj. Ky i fundit vazhdon të qëndrojë në arrati derisa familja e Dianës e shohin shtetin si përgjegjësin kryesor në rastin e vrasjes së Dianës, jeta e së cilës nuk u arrit të mbrohej edhe përkundër kërcënimeve për të cilat ajo kishte raportuar.

 “Unë mendoj se përgjegjës, dhe unë e kam denoncua shtetin e Kosovës për mosveprim ndaj rastit të vajzës sime, për fat të keq ende nuk ka mbaru, edhe pse kemi kërkua ne një dëmshpërblim për rastin, ende vazhgitemi nëpër gjykata atje, bëjnë ankesa, dmth këqyrin me e mbrojt vetveten, këtu nuk ka mbrojtje, duhet të merren masa ndaj mosveprimeve të prokurorëve, gjyqtarëve”, thotë Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit.

Sikurse rasti i Dianës janë dhjetëra raste të shënuara në Kosovë e vetëm për pak ditë këtyre statistikave iu bashkuan edhe 2 vrasje të grave. Njëra që u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj e tjetra një natë më parë së cilës iu mor jeta teksa po priste të sillte një jetë të re.

Sociologia Nora Ahmetaj thotë se çdo vrasje që ndodh, tregon mangësitë në zinxhirin institucional dhe dështimin e shoqërisë.

“Çdo vrasje që ndodh, gishti shkon te ata që janë te institucionet të cilat e kanë përsipër mbrojtjen e secilit individ, secilës grua, secilit fëmijë, jo vetëm me ligj, mirëpo thjesht janë të detyruar dhe të obliguar që secilin akt normativ me e zbatua”, thotë sociologia Nora Ahmetaj.

Kosova ndër vite është tronditur nga vrasjet e grave nga bashkëshortët apo familjarët. Ne vitin 2008 ishte rasti i vrasjes së Igballe Llalloshit që tronditi vendin, pastaj Diana Kastrati, Antigona Morina, Donjeta Pajazitaj, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Flora Omuri, Valbona Ndrecaj me vajzën e saj, Marigona Osmani, Sadije Godeni dhe rasti i fundit, Hamide Magashi.

Vrasja e mbrëmshme ua rikujton familjeve të viktimave të mëhershme aktet mizore ndaj familjarëve të tyre.


MË SHUME NGA Lajme