Tetë muaj me Ushtrues detyre të Kryeprokurorit|Video
Donika Sherifi /RTK
Tash e tetë muaj pozita e kryeprokurorit të shtetit është me ushtrues detyre. Pas largimit të Aleksandër Lumezit, këtë detyrë po e ushtron Besim Kelmendi. Ndonëse konkursi për këtë pozitë përfundoi dhe kandidati i përzgjedhur doli Blerim Isufaj, ankesat nga kandidatët e tjerë në Gjykatën Kushtetuese e ngadalësuan procesin.
Pavarësisht se këto ankesa u refuzuan nga Kushtetuesja, presidentja akoma nuk e ka dekretuar emrin e përzgjedhur, ndërsa ditë më parë tha se nuk mund ta bëjë këtë, derisa nuk përfundojnë procedurat gjyqësore.
“Është absurde që të pritet që të dekretohet një proces i cili është duke u kontestuar në gjykatat e republikës së Kosovës , kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji e unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe Kushtetutën”, pati deklaruar kohë më parë, presidentja Osmani.
Megjithatë, këto vonesa po kritikohen nga njohës të kushtetueses dhe nga monitoruesit e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri.
“Janë situata sa paradoksale, aq janë edhe absurde dhe të kundërligjshme, sepse jo rastësisht ligji ka paraparë që ushtrimi i detyrës në institucione të caktuara mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj dhe, në këtë rast, kur kemi, siç thashë, mungesë të “legjitimitetit juridik” që të ushtrohet detyra me kompetenca të plota, me mandat të plotë e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të institucioneve të shtetit, sigurisht që është hendikep edhe për funksionimin e Këshillit Prokurorial e, në këtë rast, sidomos Prokurorisë së Shtetit”, deklaroi Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës.
“Është problematike vet fakti që Gjykata Kushtetuese nuk ka nxjerrë një vendim. Sidoqoftë, vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk është i ndërlidhur domosdo me vendimet e gjykatave të tjera dhe që, qartazi, duhet të ndërmerret një vendim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Mirëpo,mbi të gjitha është që emri i kryeprokurorit të ri të shtetit të dalë nga një proces, i cili nuk është me integritet të kontestuar”, tha Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Për konkursin për kryeprokuror të shtetit kishin reaguar edhe ambasadat e huaja në vend, të cilat ishin shprehur të zhgënjyera me procesin.























