Gucati e Haradinaj kërkojnë nga trupi gjykues që t’i lirojnë nga akuzat
Foto: RTKlive
Në Fokus

Gucati e Haradinaj kërkojnë nga trupi gjykues që t’i lirojnë nga akuzat

V.Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka folur para Panelit të Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ka kërkuar lirim nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të dhe Nasim Haradinajn.

Gucati tha se me veprimet e tyre nuk e kanë shkelur ligjin, derisa ka theksuar mungesën e zbardhjes së mënyrës se si kanë rrjedhur dokumentet e dërguara në OVL-UÇK.

Gucati shtoi se drejtuesit e organizatës nuk kanë asnjë faj për rrjedhjen e dokumenteve që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konsideruar konfidenciale, dhe se i kanë lajmëruar organet kompetente për atë që kishte ndodhur, ku shtoi se lidhur me ata njerëz askush nuk kishte bërë ndonjë hetim as sot e kësaj dite.

"Ne si drejtues të OVL-UÇK-së nuk kemi bërë asnjë faj të vetëm dhe nuk e kemi shkelur ligjin, janë të tjerët pa ndikimin tonë që në zyrat tona i kanë sjellë dokumentet e prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Ne i kemi lajmëruar organet kompetente me atë që kishte ndodhur por lidhur me ata njerëz askush nuk e ka bërë ndonjë hetim as sot e kësaj dite. Prandaj, ne nuk kemi asnjë faj për këto rrjedhje. Duke u nisur nga kjo që ë thash kërkoj nga trup gjyqësor që të na liroj nga të gjitha akuzat, pasi ne nuk e kemi merituar asnjë ditë të vetme në burg. Ne presim vetëm lirimin tonë. Për fund, respekt për ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për popullin tim”, ka thënë Gucati.

Ai tha se me burgosjen e tij Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka shkelur të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore.

“Popullit tim me dekada i është imponuar lufta për liri dhe çlirim, populli im e as unë si pjesëtar i tij nuk e kemi dashur dhe as zgjedhur luftën. Sepse ne kemi qenë dhe jemi të bindur se të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet siç na është imponuar neve është urti dhe mençuri. Shteti i Kosovës asnjëherë nuk ka qenë agresor ndaj asnjë shteti, ne duhet ta kemi të drejtën të mbrojmë veten tonë kundër atyre që kundërshtojnë të drejtën tonë”, ka thënë ai.

Hysni Gucati ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka rrezikuar jetën e asnjë civili të asnjë etnie.

Ai përmendi gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë, dhe familjen Jashari për të cilën ka thënë se janë dëshmia më e mirë për krimet e Serbisë.

“Jam krenar për të gjithë bashkëluftëtarët e mi. Unë dhe bashkombasit e mi aktualisht gjendemi në burgun e sigurisë së lartë, kemi qenë dhe jemi të bindur se me asnjë të drejtë evropiane apo ndërkombëtare nuk mohohet dhe as nuk dënohet lufta për liri dhe jetë. Ne kemi qenë të shtrënguar të luftojmë kundër një shteti që me program dhe projekt është angazhuar për shuarjen e popullit tim. Kemi luftuar kundër një shteti që shumë herë më parë edhe më luftën e fundit ka kryer krime dhe gjenocid. Këto krime janë parë nga bota e cila ka intervenuar me bombardimet e NATO-s plot 78 ditë për ta ndaluar gjenocidin serb”, ka shtuar Gucati.

Ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj është shqiptuar aktgjykim fajësie në maj të këtij viti, ku dy ish-krerët e OVL-UÇK janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Kurse Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur para Panelit të Apelit në Hagë dhe ka kërkuar lirim nga aktakuza si dhe kërkim-falje nga prokuroria e Speciales.

Haradinaj tha se ai dhe Hysni Gucati kanë sinjalizuar për rrjedhje të dokumenteve që pretendohet të jenë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, derisa ka kërkuar zbardhje të tërësishme të rastit për arritjen e tyre në zyrat e organizatës.

Ai ka kërkuar që asgjë në këtë çështje të mos mbetet mister por të sqarohet se si rrodhën dokumentet, kush e nxori dokumentacionin dhe kush i dërgoi ato në zyrat e organizatës.

“Zotëri Holing, nëse jeni i sinqertë e pranoni që eprori juaj Uaiting pak më parë tha një gënjeshtër të madhe, që nuk ka pikëpyetje, këtu ka shumë pikëpyetje e disa pika habitore. Ne, duam patjetër të zbardhet këtu, sepse kur të zbardhen gjërat, neve personalisht nuk na lidhë asgjë me kryesit e kësaj vepre, andaj ne duhet të lirohemi tërësisht nga aktakuza dhe prokurori të kërkojë falje për sjelljet abuzive, poshtëruese, të pamoralshme dhe të pajustifikuara në baza juridike e njerëzore”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë fjalimit ai drejtoi kritika, sipas tij, për punë joprofesionale të prokurorisë si dhe për njëanshmëri të trupit gjykues.

“Fuqishëm besoj se ne kemi kryer detyrën më të devotshme si qytetar të Kosovës, në aspektin e interesit publik, por edhe të atij ndërkombëtar, duke sinjalizuar për rrjedhjet e pakuptimta nga kjo prokuroi, e ku pos mediave ne kemi informuar edhe zyrat e ZPS-së dhe hetuesit e tyre në Kosovë, duke e ruajtur edhe një kopje për ta. ZPS i dha vetës afat 24 orësh për të marrë atë material sepse nuk u ngutej t’i merrnim më herët”, ka thënë ai.

Procesin gjyqësor ndaj tyre ai e ka vlerësuar si shembullin tipik të një prokurorie politike dhe fyese.

Haradinaj ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi ka parë tendencën nga prokuroria për të ikur nga përgjegjësia dhe sipas tij të fshehë gabimet dhe mungesat e profesionalizmit të tyre.

Sipas Haradinajt, trupi gjykues që shqiptoi dënimin ndaj tij dhe Gucatit, ishte palë me prokurorinë.

“Ai trup gjykues haptazi ishte palë me prokurorinë dhe gatuante brumin për një vendim të tillë arbitrar, vërehej qëllimi që ishte apriori të dënohemi ne. Pasi që qysh herët, fill pas arrestimit tonë, pra në një konferencë ambasadorësh është thënë se jemi fajtor, atëherë trupi gjykues ka qenë i detyruar që dënimin ta bëjë fakt të kryer sepse për hesapet e ZPS-së është dashur një vendim i tillë. Prandaj, jam i bindur që ky proces është kryer sipas porosisë, duke pasur forcën e njëanshmërisë dhe të drejtën e mosdhënies llogari askujt”, ka thënë ai.

Haradinaj shtoi se ky proces duhet të përfundojë me zbardhjen e së vërtetës, që sipas tij është zbulimi se si rrodhën dokumentet dhe u dërguan në zyrat e organizatës.

“Ne kërkojmë nga ju zbardhjen komplet të kësaj ngjarje dhe presim vetëm të vërtetën, sepse nëse ajo zbardhet ka drejtësi, pra nga ju kërkojmë drejtësi pa paragjykime, pa anime dhe nuanca politike”, tha ai.

Në fund të seancës, kryetarja e Panelit të Apelit Michele Picard, ka thënë se vendimi do të jepet në kohën e duhur.

Prokurori Uaiting kërkoi që vendimi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt të mbetet në fuqi

(E plotësuar) Aleks Uaiting ka kërkuar nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues meqë, sipas tij, nuk ka ndonjë dyshim se ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë kryer krimet për të cilat janë akuzuar.

Uaiting  ka kundërshtuar parashtrimet e mbrojtjes e cila ka pretenduar se të akuzuarit janë përballur me një proces të padrejtë gjykimi.

Uaiting ka thënë se trupi gjykues ka konstatuar që prokuroria ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm çdo element që lidhet me pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës.

Prokurori i Specializuar në detyrë është kundërshtuar nga mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees, lidhur me materialet që kanë të bëjnë me pretendimin e mbrojtjes për shtytje në kryerjen e veprës penale.

Po mbahet seanca e Apelit në çështjen Gucati e Haradinaj

Në Dhomat e Specializuara po vazhdon seanca e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj, ku të dy të akuzuarit nga prokurioria janë të pranishëm fizikisht.

Paneli i Apelit, i kryesuar nga Michele Picard, po trajton ankesat e mbrojtjes së Haradinajt e Gucatit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Me të njëjtën përbërje siç ishin dje,  seanca ka filluar me parashtrimet e prokurorisë.

Aleks Uaiting, Prokuror i Specializuar në detyrë, ka dhënë një kuadër të përgjithshëm të procesit që ka çuar në shpalljen e tyre fajtor.

“Të akuzuarit mendojnë se janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore. Nuk ka asnjë pyetje e as pikëpyetje që të akuzuarit kanë kryer krimet për të cilat ata janë akuzuar. Ata  kanë pasur mundësi të plotë që të kundërshtojnë çështjen e paraqitur nga prokuroria. Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësorë plotësisht të drejtë dhe dënimi i dhënë atyre ka qenë i drejtë”, tha prokurori Uaiting.


MË SHUME NGA Në Fokus