Presidentja Osmani në Bullgari nderohet me `Çelësin e Sofjes`
Foto: Zyra e Presidentes
Lajme

Presidentja Osmani në Bullgari nderohet me `Çelësin e Sofjes`

Fadil Sertolli / RTKlive

Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në shenjë nderimi i është dhuruar çelësi i Sofjes nga prefektja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova.

“Çelësi hap dyer. Kjo vizitë zyrtare në Bullgari ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve e kryeqyteteve si dhe qytetarët tanë do t`i ofrojë më shumë ndër vete në funksion të dobisë reciproke”, ka theksuar Osmani thuhet në një njoftim nga Presidenca e Kosovës.

Tutje vazhdon njoftimi se gjatë vizitës në Bullgari, Presidentja Osmani, në prezencë të presidentin bullgar Rumen Radev, ministrit në detyrë të mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe gjeneralmajorit Valeri Tsolov, ka dekoruar Forcat e Armatosura të këtij shteti me Medaljen Ushtarake Presidenciale për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR-it në Kosovë.

Presidentja Osmani theksoi se aktualisht në kuadër të KFOR-it, në Kosovë akoma shërbejnë ushtarët bullgarë, teksa nga viti 1999, janë 1600 ushtarë bullgarë, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Teksa ka folur për pasojat e luftës në Kosovë dhe intervenimin e NATO-s, Presidentja Osmani ka theksuar se Bullgaria qysh në atë kohë ishte në anën e Kosovës.

“Bullgaria nuk ishte ende anëtare e NATO-s në vitin 1999, megjithatë mori vendime të vështira por të drejta për të siguruar që ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë të ishte e suksesshme në ndalimin e krimeve monstruoze nga forcat gjenocidale  të Millosheviqit”, ka theksuar Presidentja Osmani thuhet në njoftim.

Në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”, Presidentja Osmani u nderua me mirënjohje, e më pas para diplomatëve, stafit akademik dhe studentëve foli për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Kurse Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme dhe e të gjuhëve indo-evropiane dhe Ballkanike i ka dhuruar mirënjohje për studimin dhe kultivimin e mëtejmë të gjuhës shqipe në kuadër të Departamentit të Ballkanistikës.


MË SHUME NGA Lajme