Mehaj uron Shqipërinë në 110 vjetorin e Ushtrisë: Jemi më të fortë se kurrë
Foto: Armend Mehaj/Facebook
Lajme

Mehaj uron Shqipërinë në 110 vjetorin e Ushtrisë: Jemi më të fortë se kurrë

M.Shefkiu/RTKlive

Në 110 vjetorin e themelimit të Ushtrisë Shqiptare, ushtarët, oficerët e gjithë popullin e ka uruar ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai tha se pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.

“Për 110 vjet, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rrugëtuan me sfidat që shoqëruan realitetin kompleks historik dhe gjeopolitik të rajonit, kontinentit dhe botës mbarë. Sot, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përmbushin me dinjitet misionin e tyre si shtet anëtar i NATO-s, në betejën e vazhdueshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit anembanë botës”, shkruan Mehaj.

Edhe për Kosovën, sipas Mehajt, është nderë e krenari që Shqipëria tashmë është pjesë e NATO-s.

“Kjo  përbën nder dhe krenari, po aq sa edhe krah të fortë në rrugëtimin e Republikës së Kosovës në proceset integruese në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë. Bashkëpunimi ynë tani më, është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake”, ka shkruar ai.

Sukseset e Ushtrisë së Shqipërisë, sipas tij, gjithmonë janë edhe sukseset e Kosovës.

“Prandaj sukseset e përbashkëta do të shtohen edhe më shumë në misione të përbashkëta, përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm,Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë. Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën mund, gjak e djersë për të mundësuar krijimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar këto 110 vite pavarësi”, ka shkruar në urimin e tij ministri Mehaj.

Ndryshe, në ditën kur Shqipëria shënon ditën e Ushtrisë, në Qendrën e Aftësimit Profesional të Nënoficerëve në Zall Herr të Shqipërisë, në kursin e avancuar të nënoficerit, u certifikuan pesë nënoficerë të FSK-së.

“U certifikuan pesë nënoficerë tanë së bashku me 40 vëllezër e motra, nënoficerë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Vazhdojmë si gjithmonë së bashku me ngritjen e profesionalizmit të dy ushtrive tona”, ka shkruar Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme