Shtyhet ndeshja e Prishtinës me Rahovecin, klubi kryeqytetas reagon ashpër
Sport

Shtyhet ndeshja e Prishtinës me Rahovecin, klubi kryeqytetas reagon ashpër

Uran Krasniqi/RTKLive

Është shtyrë për nesër ndeshja mes Prishtinës e Rahovecit dhe klubi kryeqyetas ka fajësuar referin Artan Gashin, për moszhvillimin e ndeshjes.

Kjo përmes një reagimi, ku ka theksuar se nuk dëshiron që ky gjyqtar të dërgohet sërish për ta ndarë drejtësinë në ndeshjet e klubit. 

"Referi Artan Gashi shkakton moszhvillimin e ndeshjes, tallet me publikun, klubin dhe Policinë e Kosovës Siç jeni në dijeni, ndeshja kampionale ndërmjet KB SIGAL Prishtina dhe KB Rahovec, u vendos të ndërprehet ende pa nisur arbitrarisht nga referi Artan Gashi, madje edhe pas ardhjes së forcave të shumta policore. Sipas tij, Klubi jonë është dashur ta sigurojë pjesëmarrjen e Policise në sallë, gjë që klubi jonë e ka bërë.
Policia e Kosovës (PK) kanë qenë në sallë, ndërsa duke mos i mjaftuar prezenca e zyrtarevë policorë, delegati kërkoi që të shtohet prezenca e tyre, edhe pse fillimisht deklaroi se ata që ishin aty mjaftonin. Me kërkesë të tyre, PK sjelli fillimisht edhe zyrtarë të tjerë, ku referit Artan Gashi nuk i mjaftuan as ata, dhe vendosi që të mos e nisë ndeshjen pikërisht në momentin kur në sallë erdhën edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, dhe tha që të presin e mos të zbrazet salla.
KB SIGAL Prishtina i kërkon falje të gjithë tifozëve që ishin prezentë në sallë ku për shkak të vendimit tendencioz dhe inatçorr të referit Artan Gashi nuk u zhvillua ndeshja, përkundër faktit që të gjitha kërkesat u plotësuan. 
Me këtë ndërprerje krejtësisht të panevojshme u prish imazhi i një ngjarjeje sportive për të cilën shikuesit ishin mbledhë në sallën. As përmbushja e kërkesave e as lutjet tona drejtuar referit në fjalë nuk e bënë ta ndryshojë mendjen për hir të basketbollit dhe dashamirëve të këtij sporti.
Bordi jonë dhe Këshilli Organizues është duke e konsideruar seriozisht moszhvillimin e kësaj ndeshjeje dhe mosorganizimin e Superkupës së Kosovës, në rast të delegimit të këtij imazhprishësi inatçorr në ndeshjet e KB Sigal Prishtina. Të tillët nuk i duhen as palestrave e as basketbollit, duke marrë vendime të ngutshme e të gabueshme për shkak të tekeve e inateve personale. Faleminderit!", ka shkruar klubi kryeqytetas.


MË SHUME NGA Sport