Osmani: Prania e USAID-it në Kosovë, shembull i partneritetit të fortë
Foto: Donika Sherifi/RTK
Lajme

Osmani: Prania e USAID-it në Kosovë, shembull i partneritetit të fortë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Presidentja e shtetit Vjosa Osmani ka pritur në takim ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. E para e shtetit tha se USAID-i ka kontribuuar me më shumë se 1 miliard dollar në forcimin e institucioneve të Kosovës, në demokratizimin e vendit, në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse e në shumë fusha të tjera përfshirë edhe luftimin e krimit e korrupsionit.

Përreth një orë ka zgjatur takimi i presidentes Vjosa Osmani me ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.

E para e shtetit, pas takimit ka falënderuar USAID-in për ndihmën e dhënë përgjatë viteve për Kosovën.

“Republika e Kosovës ka bërë përparim të madh në dy dekada të fundit në shumë fusha. Prania e USAID-it nuk është vetëm shembull i partneritetit të fortë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve, por edhe tregon faktin se Kosova mbetet një vend me potencial të madh, me një rini të talentuar me një ekonomi në rritje dhe me një demokraci të avancuar”, ka thënë Osmani në konferencën e përbashkët për media.

Tutje, shefja e shtetit tha se përgjatë më shumë se dy dekadash, USAID-i ka qenë katalizator i ndryshimit në vende të ndryshme të botës. “Prandaj, ne ju jemi mirënjohës që edhe vendi ynë ka qenë përfitues i shumë projekteve të cilat janë mbështetur nga populli amerikan. USAID-i ka kontribuuar me më shumë se 1 miliard dollar në forcimin e institucioneve të Kosovës, në demokratizimin e vendit tonë, në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse e në shumë fusha të tjera që ndër të tjera ka përfshirë edhe luftimin e krimit e korrupsionit", tha tutje Osmani.

Duke përmendur vetëm kohën si presidente, tha se përgjatë këtij një vit e gjysmë, USAID-i ka kontribuuar edhe me mbi 73 miliardë dollarë mbështetje financiare nëpërmjet grantit të objektivave të zhvillimit me SHtetet e Bashkuara.

Ajo tutje tha se USAID-i ka qenë një forcë shtytëse e ndryshimeve pozitive veçanërisht në tri fronte të rëndësishme: demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut.

Osmani ka treguar se nga McKee ka kërkuar mbështetjen për përpjekjet e shtetit për eliminimin e dhunës mbi baza gjinore. “Dhe jam e lumtur që mora përgjigje pozitive nga USAID-i për përkrahjen në këtë drejtim për ta luftuar këtë dukuri, që për fat të keq është shndërruar në pandemi anë e mbanë globit”, tha presidentja.

Ndërkohë, mysafirja amerikane, ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee tha se është këtu për të qenë dëshmitare e shumë sukseseve të arritura gjatë këtyre dekadave.

Ajo tregoi se përgjatë ditëve sa ka qëndruar në Kosovë ka takuar pronar biznesesh, të rinj e pjesëtarë të shoqërisë civile, e gajtëdiskutimit tha se kosovarët kanë theksuar shpresat për një të ardhme më të sigurt, më të prosperueshme për fëmijët e tyre e që janë të njëjtat ëndrra, sipas saj që edhe amerikanët i kanë për familjet e tyre.

“Nga vitit 1999 USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollar në ndihmë Kosovës në ndërtimin e institucioneve, rritjen ekonomike e shumë fusha të tjera. Më shumë se sa dollarët që kemi investuar është partneriteti ynë që kemi ndërtuar edhe që jam e bindur që do të vazhdojë të forcohet gjatë dekadave të ardhshme”, tha tutje McKee.

Shtoi se do të mbeten të përkushtuar për t’i ndihmuar Kosovës të zë vendin e vetë brenda institucioneve evropiane e euroatlantike.

Kur përmendi sektorin energjetik tha se do të jenë këtu që ky sektor të zhvillohet, gjithnjë e më shumë i bazuar në energji të pastër e të ripërtritshme.

“Prioriteti ynë është që t’i ndihmojmë zgjidhjet e udhëhequra nga vetë Kosova në mënyrë që vendi juaj të bëhet vend demokratik e i prosperueshëm për të cilin keni punuar shumë për të arritur”, tha ajo.

McKee, tutje tha se ndërtimi i një të ardhme të tillë do të kërkojë një partneritet të qëndrueshëm mes institucioneve qeveritare, shoqërisë civile, mediave  e qytetarëve. “Duke u mbështetur në nevojat e qytetarëve dhe duke arritur rezultate në reformat kundër korrupsionit, institucionet qeveritare do të forcohen për të realizuar atë premtimin e demokracisë e ne do të qëndrojmë këtu të t’iu ndihmojmë”, tha ajo.

McKee ka premtuar vazhdimin e ndihmës në zhvillimin e një gjyqësori të drejtë e të paanshëm me ç’rast tha se do të ndikojnë në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ajo nuk la pa e përmendur dialogun Kosovë-Serbi. Tha se normalizimi i raporteve mes shteteve me njohjen e ndërsjellë në qendër është mënyra më e mirë që do t’i ndihmojë Kosovës t’i përmirësojë raportet me vendet fqinje dhe kështu sipas saj të zë vendin e vetë në mesin e vendeve të tjera në kuadër të integrimeve evropiane e euroatlantike. “Ne do të jemi këtu për të gjitha vendet e rajonit, për Kosovën e edhe për Serbinë, në mënyrë që të krijojmë një mjedis ku të rinjtë nuk do ta shohin të ardhmen në vendet jashtë atdheut të tyre, por do të rrinë të krijojnë biznese e familje, këtu në vendin e tyre”, përfundoi deklarimin e saj ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee.


MË SHUME NGA Lajme