Vizita e Cakajt në Francë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucinal
BKT
Lajme

Vizita e Cakajt në Francë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucinal

M.Miftari/RTKlive

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka-Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Paris, më 30 nëntor - 2 dhjetor 2022, që u realizua me mbështetjen e ambasadës së Francës në Republikën e Kosovës.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se që në ditën e parë të vizitës, kryetarja Caka-Nimani u takua me kryetarin e Këshillit Kushtetues të Francës, Laurent Fabius, dhe me kryetarin e Këshillit Shtetëror të Francës, Didier - Roland Tabuteau. Temë e diskutimeve të përbashkëta, në të dy takimet, ishin të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në nivel vendi.

Më tej, në njoftim thuhet se në takimet e ndara me Fabius dhe z. Tabuteau, kryetarja vuri theksin edhe në nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndër-institucional ndërmjet institucioneve përkatëse me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të njohurive praktike në fushat me interes reciprok.

Ndërsa në ditën e dytë të vizitës në Paris, kryetarja Caka - Nimani zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Senatit francez, të ngarkuar me çështjet politike, legjislative dhe të drejtat e njeriut për rajonin e Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë Nënkryetaren e Senatit Valerie Letard dhe Senatoren Laure Darcos, që gjithashtu udhëheq grupin ndërparlamentar të miqësisë ndërmjet Francës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Kryetarja Caka - Nimani vizitën në kryeqytetin francez e përmbylli me takimin e përbashkët me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Francës, z. Christophe Soulard, me të cilin ndërmjet tjerash diskutuan përkitazi me sfidat në procedurat e kontrollit kushtetues dhe interpretimin uniform të ligjeve në të dyja vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy Gjykatave”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme