Bislimi e konfirmon: Kurtit iu dorëzua propozimi i fundit franko-gjerman
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Kryenegociatori kosovar në dialogun me Serbinë, njëherësh zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka konfirmuar para Komisionit për Punë të Jashtme se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ia ka dorëzuar sot kryeministrit versionin e ri të planit evropian të njohur si-franko-gjerman.
“Po është dorëzuar drafti i ri franko-gjerman, i është dhënë Kurtit në ora 10:00”, tha Bislimi.
Ai iu përgjigj pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu -Shoshi që kërkoi të dinte më shumë rreth këtij plani.
Bislimi ka kërkuar nga anëtarët e komisionit të kenë kujdes kur bëjnë pyetje sepse jo gjithçka është edhe për publikun.
Ndërkohë i pyetur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe si e ka paramenduar qeveria themelimin e këtij mekanizmi, Bislimi e quajti të pakuptueshme siç tha urinë që në secilin diskutim të bëhet kjo pyetje.
“Është e pakuptueshme për secilin, edhe prej zyrtarëve në Bruksel kjo uria që në çdo diskutim t’i thuhet kryeministrit a do të themelosh Asociacionin, që bëhet me qëllim që Kurti të thotë “jo nuk e bëjë” e pastaj të dalë me deklarime Brukseli që thotë se duhet të respektohen marrëveshjet. Është e pakuptueshme kjo uri që rritë vazhdimisht pazarin e Serbisë e ulë atë të Kosovës, duke thënë a do ta bëni Asociacionin”, tha Bislimi.
Ai ka treguar se është munduar për një muaj të sigurojë një dokument që Serbia e kishte dërguar në Bruksel në mënyrë që të përgatitej më mirë, por nuk kishte arritur, prandaj shfaqej i habitur me pyetjet e anëtarëve të komisionit për tema sipas tij, të ndjeshme.
“Kur të më thirrni për të raportuar është mirë të kuptoni se po flisni për dialogun me Serbinë”, tha Bislimi të cilit ia tërhoqi vërejtjen kryetari Komisionit nga Vetëvendosje i cili i tha se mund të përgjigjet vetëm aty ku mundet, por jo të komentojë perceptimin që mund ta kenë anëtarët e komisionit.
Ndërkohë, Bislimi ka paralajmëruar marrëveshje me Serbinë edhe për të zhdukurit me forcë. Ai tha se pritet që marrëveshja të arrihet në takimin e parë mes krerëve të shtetit që mbahet në janar, dhe sipas tij kjo temë nuk është harruar asnjëherë.
“Është diskutuar në vazhdimësi. Draftin nuk e kam këtu që më është dhënë mbrëmë nga Lajçaku. Ka vetëm një pjesë të një paragrafi të ndryshuar e ai nënshkruhet në janar”, tha Bislimi.
Mbledhja është mbyllur për media në mënyrë që të diskutohen çështje që nuk mund të jenë të hapura për publikun.
Dialogu dikur dhe sot, përplasë Bislimin e Halitin
Në mbledhjen e komisionit ku po raporton zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati përplasje mes tij e deputetit nga PDK-ja, Xhavit Haliti.
Gjithë kjo erdhi pas pyetjes së drejtuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi për zëvendëskryeministrin Bislimi se çka ka ndryshuar në dialog sot, nga e kaluara.
Zëvendëskryeministri Bislimi, derisa foli për dialogun e së kaluarës, tha se për 18 muaj qeverisje nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje si koncesion me Serbinë.
Ka përmendur kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër dhe marrëveshjen e arritur në vitin 2013 duke listuar situatën e Kosovës në dialog të trashëguar nga procesi 10 vjeçar.
Ai tha se në vitin 2013 para se të nënshkruhej marrëveshja për normalizim, Hashim Thaçi atëbotë si kryeministër kishte pranuar që veriu të marr trajtim të veçantë në aspektin e sigurisë duke u darkorduar që FSK-ja të mos lejohet të shkojnë në veri, kërkesë kjo e Serbisë.
“Ende kemi përdorim të valutës së një shteti armik që është toleruar që atëherë, në veri qytetarët ende vazhdojnë të mos i paguajnë tatimet as lokale as qendrore si pasojë i atij normalizimi që ka sjellë dialogu 10 vjeçar. Në veri, për taksat doganore ishte dakorduar që të gjitha të përdoren vetëm për komunat veriore që shkelet haptazi principi unitar i sistemit tatimor të vendit. Ende nuk paguhet as energjia as uji. Janë lejuar të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë e përdorimi i tabelave të kohës së Milosheviqit”, tha tutje ai.
Sipas Bislimit, si rezultat i atij normalizimi të 2013-s janë toleruar rrugët ilegale në atë pjesë të territorit e janë shtuar e kontrabandat në veri meqë siç tha ka pasur dakordim që as policia të mos shkojë në veri pa njoftuar 24 orë përpara.
Kjo nxiti reagimin e deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti i cili i tha Bislimit se nuk e kanë ftuar të raportojë në emër të Hashim Thaçit.
“Meqenëse nuk është Hashim Thaçi këtu, ti raportove në emër të tij. Unë kam një mendim timin dhe një qëndrim që raportime të tilla qojnë në dezinformim të opinionit, sepse asnjë nga këto nuk qëndrojnë gjithçka është vendosur dhe besoj fort që është vendosur në përputhje me kushtetutën”, tha deputeti i PDK-së.
Sipas tij, nuk është mirë që marrëveshjet e parealizuara nga palët t’i faturohen Hashim Thaçit.
“Nuk është mirë as prej teje, nuk është mirë t’i dëgjojmë as ne, as opinioni. Po raportoni, sikurse Hashim Thaçi ia ka dorëzuar pavarësinë e Kosovës Serbisë, e nuk e ka fituar pavarësinë e Kosovës me luftë dhe me paqe”, tha ai.
“Është e letë të thuhet sot kur e ke gjetur të gatshme lirinë, kur po e përfaqësoni Kosovën në bisedime e nuk po raportoni asgjë për të arriturat. Nuk iu kemi thirrur për Hashim Thaçin, por për të arriturat që ka bërë Kosova në bisedimet që po zhvillohen me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së. Deri tash nuk raportove për të arriturat, raportove për të kaluarën”, tha tutje Haliti.
Ndërkohë, Bislimi tha se nuk mund të raportojë për ndryshimet ne dialog pa përmendur të kaluarën e fakti që ushtria nuk mund të shkojë në veri si pasojë e asaj marrëveshje nuk mund të ndryshohet.
Bislimi tregon si u vendos afati për marrëveshjen gjithëpërfshirëse
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili po raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës ka ndarë detaje nga takimi i 23 nëntorit në Bruksel.
Ai para anëtarëve të këtij komisioni ku është ftuar për të raportuar për planin franko-gjerman për të cilin BE-ja thotë se është plan evropian i mbështetur nga këto dy shtete, ka treguar se në takimin e 23 nëntorit kanë arritur që të vendosin kufizim kohor për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Një kërkesë tjetër përveç kërkesës që në Bruksel të diskutohet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse ka qenë që diskutimet për marrëveshjen të jenë të kufizuara në kohë në mënyrë që të mos zgjasin pa kufi”, tha ai duke shtuar se në dakordimin e 23 nëntorit e kanë arritur një gjë të tillë.
“Ndonëse në tekst nuk figuron data, por figuron Grupi Special për normalizim dhe pastaj ne kemi pranuar këtë formulim vetëm në këmbim të një shkrese shtesë të Lajçakut që ai e cakton takimin për normalizim për fund të marsit 2023. Ne e kemi marr sigurinë që nuk do të zhvendoset ky afat e pastaj kemi pranuar atë formulim”, ka treguar numri dy i qeverisë para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit.
Megjithatë, Bislimi tha se nuk mund të ndajë shumë detaje rreth planit franko-gjerman sepse është një marrëveshje që përmbajtja të mbahet ende larg publikut në mënyrë që diskutimi të jetë sa më konstruktiv.
“Tash, për propozimin që duhet të vendoset në tavolinë, ka një dakordim mes propozuesve në këtë rast ka qenë emisari i BE-së Lajçak dhe dy këshilltarët politik të kancelarit Shcolz e presidentit Macron, dhe në anën tjetër të kryeministrit kosovar, Kurti e presidentit serb Vuçiq ka një dakordim që përmbajtja e këtij plani të mbahet ende larg publikut në mënyrë që diskutimi të jetë sa më konstruktiv, e unë nuk mund të nxjerr detaje rreth këtij plani apo propozimi”, tha tutje Bislimi.
Ai tha se Kosova e ka dëshmuar qasjen e saj si në raport me luftën në Ukrainë ashtu edhe me dialogun me Serbinë duke u pozicionuar qartazi si aleatë të SHBA-ve e BE-së, ndryshe sipas tij nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri ka folur edhe për marrëveshjet që Kosova i zbaton e Serbia nuk i zbaton plotësisht.
Kur foli për marrëveshjen për energjinë ka treguar se gjatë implementimit nuk ka pasur konstruktivitet të palës serbe dhe sipas tij edhe pse kanë kaluar rreth 150 ditë ende Bashkimi Evropian është duke u përpjekur të detyrojë palën serbe të jetë konstruktive.
“Ajo që ka ndodhur si pjesë e kësaj marrëveshje është që pala kosovare i ka kryer menjëherë obligimet e saj, ndërkaq te pjesët ku kërkohet angazhim i palës serbe dhe BE-së, ka ngecje”, shtoi Bislimi, duke treguar se pala serbe ka qenë e obliguar të dërgojë të dhënat brenda një afati 7 ditor, por i ka dërguar pas 100 ditësh madje tha ai të pakompletuara dhe me gjasë sipas tij, të falsifikuara.
Bislimi, tha se përpos marrëveshjeve me KOSTT-in, Elektroserver-i nuk i ka nënshkruar marrëveshjet me KEDS-in ende për furnizim dhe ofrimin e shpërndarjes së energjisë në katër komunat veriore.
Ndërkaq, sipas tij, pika të cilën nuk e ka zbatuar BE-ja ka qenë fasilitimi i qasjes në infrastrukturën fizike në veri për punëtorët, zyrtarët e KEDS-it dhe KESKO-s.
Kur foli për targat tha se u detyruan të merreshin vendimet e fundit meqë sipas tij, ndonëse në shtatorin e vitit të shkuar kishin arritur pajtueshmëri për një afat shtesë prej 6 muajsh, në mënyrë që të prodhohej një zgjidhje afatgjate, pala serbe nuk kishte pranuar asnjë nga propozimet e BE-së rreth kësaj teme.























