Radoniqi: Me zor nuk mbahen zgjedhjet
BKT
Foto arkiv/ RTK
Lajme

Radoniqi: Me zor nuk mbahen zgjedhjet

Ahmet Maholli/ RTK

Pas situatës së krijuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut ku zyrtarët komunalë zgjedhorë, që ishin nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, u penguan që të shkonin në zyret komunale për të kryer detyrat e tyre zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje në orët e mbrëmjes.

Me këtë rast, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se incidentet e sotme dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit, dhe në këtë situatë është e vështirë të mbahen zgjedhjet atje.

”Me zor nuk mbahen zgjedhjet, këtë formë është fjala, nuk mund t'i rrezikojmë askënd, për çfarëdo  vendimin të marrë mbetet në vijim të shohim dhe të komunikojmë me policinë ta kemi një raport, ta dërgojmë te presidenca”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së.

Nga ana tjetër, Burim Ahmetaj, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së ka treguar për rastin e sotëm.

“Në atë kohë, sipas njoftimit që kemi pranuar, zyrtari ynë tregon se në afërsi janë dëgjuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj situate të tensionuar, zyrtari ynë dhe të MPB-së e MAPL-së janë tërhequr. Pas tërheqjes së zyrtarëve, sipas raportimeve të më pastajme, zyra e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar. Ndërkohë, edhe për dy komunat tjera, sipas informacioneve që kemi pranuar nga terreni, edhe në dy komunat tjera, Leposaviq dhe Zveçan janë dëgjuar alarmet e qyteteve dhe ka pasur grumbullim të personave”, tha ai.

 Disa anëtarë të KQZ-së kërkuan që zyrtarëve zgjedhorë t'iu ofrohet siguri më e madhe dhe disa kërkuan që Bashkimi Evropian t’ia tërheqë vërejtjen Serbisë, që të largojë grupet, që sipas tyre, qëndrojnë pas incidenteve.

Ndërkaq, KQZ ka njoftuar se nesër në orën 09:00 organizohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.


MË SHUME NGA Lajme