Qeveria pret vlerësim për situatën në veri, para hapave të mëtejshëm
BKT
Foto: Përparim Kryeziu/Facebook
Lajme

Qeveria pret vlerësim për situatën në veri, para hapave të mëtejshëm

J.Musliu/RTKlive

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, deklaroi se ekzekutivi i vendit është duke pritur vlerësimin e organeve përkatëse shtetërore të sigurisë, lidhur me hapat e mëtejshëm rreth situatës në veri të vendit.

Në një deklarim të llogarinë e tij në Facebook, Kryeziu rikujton se institucionet e Republikës së Kosovës, kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë”, shkruan ai.

Kryeziu më tej deklaron se pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e zgjedhjeve tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës.

“Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre”.

Ai më tej ka thënë se institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.

“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike”.

Kryeziu tha se aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. 

“Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, raporton RTKlive.

Aktet e dhunës janë dënuar edhe nga zyrtarë të tjerë të Kosovës, si kryeministri Albin Kurti e ata të opzoitës, por edhe nga ambasadori amerikan, francez e gjerman.

Natën e mbrëmshme persona të panjohur kanë sulmuar zyrat e KKZ-ve në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, për të penguar hapjen e këtyre zyrave, pasi më 18 dhjetor, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komune.

Ndryshe, situata në veriun e Kosovës sot përshkruhet e qetë.


MË SHUME NGA Lajme