Volodymyr Zelensky, "Personi i vitit 2022" nga TIME
Kulturë

Volodymyr Zelensky, "Personi i vitit 2022" nga TIME

Valjeta Kosumi/ RTK

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shpallur "Personi i vitit 2022", nga magazina TIME.

Në këtë shpallje të sivjetme, që tashmë është shndërruar në publikim tradicional të magazinës, në ballinë zë vend presidenti ukrainas dhe "shpirti i Ukrainës".

Suksesi i Zelensky-t, në këtë kohë lufte për Ukrainën, është bazuar në faktin se guximi është ngjitës, shkruan Simon Shuster.

Kjo frymë është shpërndarë në lidershipin politik të Ukrainës, që në ditët e para të pushtimit, në kohën kur të gjithë e kuptuan se Presidenti i tyre nuk po largohej.

Në të njëjtën kohë, magazina TIME ka shpallur edhe "Heronjtë e vitit 2022", që këtë vit janë "Gratë e Iranit".

Lëvizja që ato po udhëheqin është edukative, liberale, sekulare, që po ngritët në pritje të larta e dëshpërim për normalitet, shkruan autorja dhe kolumnistja e TIME, Azadeh Moaveni.

Lëvizja qytetare në Iran erdhi pas vrasjes në paraburgim të 22 vjeçares, Mahsa Amini, e cila fillimisht u arrestua në një stacion të metrosë nga Policia e Moralit, e cila merret me zbatimin e Kodit të Veshjes në Iran.

Magazina TIME ka shpallur edhe "Ikonën e Vitit 2022", që këtë vit i takoi aktores Michelle Yeoh.

Yeoh është që disa dekada yll në Azi, si pjesë e filmave të aksionit, të realizuar në Hong Kong. Ajo debutoi në vitin 1997 në Hollywood, me paraqitjen në filmin e James Bondit "Tomorow never dies".

Këtë vit, ajo po shkëlqen me performancën e saj në filmin "Everything Everywhere All at Once", rol që mund t'i sjellë edhe Oscarin e saj të parë, në moshën 60 vjeçare.

Çmimi "Personi i vitit" nga magazina TIME i jepet çdo fundvit një personi, grupi apo ideje a objekti, që ka pasur ndikimin më të madh në ngjarjet e vitit që lejmë pas.


MË SHUME NGA Kulturë