Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 16:30|Video
A.Bela / RTKlive
(E plotësuar, ora 15:25) Kuvendi i Kosovës, nuk ka pasur kuorum për të votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci, ka kërkuar pauzë deri në orën 16:30.
Për këtë Projektligj ka pasur reagime të shumta në Kuvendin e Kosovës. Ky projektligj është kritikuar edhe nga disa deputetë, duke e cilësuar atë si të dëmshëm. Por ministri Liburn Aliu, tha se ky projektligj është me rëndësi për Kosovën dhe për trajtimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë dhe do të zgjidh shumë probleme.
LIVE|Aliu: Kosova ka 352 mijë ndërtime pa leje
Ministri Liburn Aliu, para deputetëve tha se ky ligj është i nevojshëm për Kosovën. “Jemi në situatën kur në Kosovë, janë 352 mijë objekte janë pa leje, vetëm Prishtina ka 46 mijë objekte pa leje. Mbi 75 % në Prishtinë dhe Kosovë, ndërtimet janë pa leje”, tha ai. Aliu bëri me dije se 7314 objekte janë legalizuar. Sipas tij edhe interesimi për legalizim ka qenë i vogël. 
(E plotësuar, ora 13:02), Kuvendi i Kosovës, pas votimit të masave për energji, ka vazhduar punimet me pikat e rendit të ditës nga seancat e kaluara. 
Kuvendi voton pro zgjatjes së masave emergjente në energji
(E plotësuar, ora 13:02), Kuvendi i Kosovës, pas një debati dy orësh në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar pro vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë. Pro këtij vendimi kanë votuar 61 deputetë.
LIVE|Rizvanolli kërkon nga kuvendi zgjatjen e masave emergjente në energji
(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës zgjatjen e masave emergjente në energji. 
Rizvanolli ka prezantuar masat duke thënë se këto masa kanë qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes dhe marrjes së masave shtesë dhe vazhdimit të masave ekzistuese.
“Sipas ligjit në fuqi mund të bëhet në afat edhe për 30 ditë shtesë. Duke marrë parasysh krizën energjetike evropiane nga e cila po ndikohet edhe vendi ynë, në funksion të tejkalimit të kësaj situate, Qeveria e Kosovës i propozon Kuvendit të Kosovës zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energjie elektrike me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes dhe marrjes së masave shtesë dhe vazhdimit të masave ekzistuese. Ne së shpejti do të sjellim në kuvendin e Kosovës një amendament shtesë të ligjit i cili na lejon që zgjatja e masave për periudha më të gjata në mënyrë që të evitojmë barrën administrative për kuvendin dhe qeverinë”, theksoi ajo.
Në anën tjetër partitë opozitare, kanë kritikuar këto masa të qeverisë.
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, ka filluar seancën e jashtëzakonshme, ku në rend ditë është vetëm një pikë ‘Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.
Sot Kuvendi shqyrton masat emergjente për furnizim me energji
Kuvendi Kosovës, sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme dhe do të vazhdojë me seancë plenare.
Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi do të bëj shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.
Kurse vazhdimi i seancës plenare, do të fillojë me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 10 dhe 24 nëntor 2022: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Prokurorinë Speciale, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal i Republikës së Kosovës, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021 dhe shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021, raporton RTKlive.
Po ashtu Kuvendi shqyrton pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 15, 22, 23 shtator 2022: Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Ndërsa pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 14 tetor 2022: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.























