PDK kërkon dorëheqjen e ministres Haxhiu
B.H. / RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu. Një kërkesë të tillë e ka paraqitur koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të këtij subjekti politik, Përparim Gruda, në një konferencë për media.
Kërkesën e tillë partia më e madhe opozitare e ka bërë pas humbjes së mostrave të “Rastit Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gruda tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur të këtij rasti, dhe se ministrat nuk janë nuk janë drejtues të ministrive për të raportuar skandalet, por për të punuar në mënyrë të ligjshme.
“PDK ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin ‘Dehari’, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e ministres Albulena Haxhiu, e cila e drejton ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe Instituti. Kur zhduken mostrat, dëmtohen provat, dëmtohet drejtësia dhe pamundësohet zbardhja e rastit. PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Albulena Haxhiu, si përgjegjësja kryesore dhe drejtuese e ministrisë së Drejtësisë, pranë të cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore”, tha Gruda.
Ai tutje ka thënë se ministrja Haxhiu duke dashur ‘të mbulojë paaftësinë e saj, po manipulon me prova dhe situatën’.
“’Rasti Dehari’, është një rast vërtetë tragjik, zbardhja e të cilit, deri në detajin më të vogël, është obligim shtetëror për të cilin ne kemi kërkuar që të punohet në vazhdimësi. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur për qëllim asnjëherë që të zbardhë të vërtetën e këtij rasti, por ta përdorë atë për betejat e saj politike. Fatkeqësisht, përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjithë mekanizmat shtetëror në duart e tyre për ta zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Pas më shumë se dy viteve qeverisje dhe zero avancimi në rastin “Dehari”, ne dyshojmë që ministrja Haxhiu duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, por edhe në pamundësi të sigurimit të fakteve të pamohueshme për të dëshmuar një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon me prova dhe situatën”, nënvizoi Gruda.























