AGK-ja dënon sulmin ndaj gazetarëve në veri, kërkon siguri
N.Mekolli /RTKlive
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGP) ka shprehur shqetësimin për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës.
“Vetura në të cilin po udhëtonin gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu u sulmua nga një grup i maskuar i serbëve, në afërsi të Shkollës Teknike”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Njëkohësisht kërkon nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit.
Persona të maskuar vazhdojnë të qëndrojnë te Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut, raporton gazetarja e RTK-së në terren.
Mbrëmë në veri, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.























